Amarildo Bakaj shtang shqiptarët, njofton pensionimin nga boksi në kulmin e karrierës
Boksieri Amarildo Bakaj ka befasuar të gjithë duke e njoftuar pensionimin nga boksi në moshën 26-vjeçare.
Bakaj që kishte një rekord si i pamposhtur tash e një periudhë e kërkonte një përballje me boksierin numër një të botës në kategorinë e tij, Ben Whitaker, megjithatë ky i fundit as nuk e konsideronte.
Ai përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar të gjithë tifozët se shkaku i mungesës së sponsorëve, nuk po arrin të përballet me boksierët e tjerë, prandaj edhe ka vendosur t’i “varë dorezat”.
“Sot ndaj me ju dorëheqjen time nga boksi. E di që një pjesë e madhe do të mërziten dhe një pjesë do të gëzohen. Gjatë karrierës sime nuk mbaj mend që kam derdhur lot gëzimi. E dini shumë mirë sa janë munduar të ma prishin emrin duke folur keq për mua, sepse e kanë parë që kam talent dhe mund të arrij shumë lart. Tani rrini të qetë, mos ma helmoni më zemrën me mua”.
“Shumica kanë menduar se po kërkoja famë kur ju kërkoja ndeshje si Ben Whitaker e të tjerë. Ata s’më kanë frikë, thjesht për të më pranuar ndeshjen boksierët me emër duhet të kem disa sponsorë në anën time, që atë shumë që ata e kërkojnë t’ua afrojnë. Boksierët në Angli dhe SHBA janë të fortë jo se kanë më shumë zemër apo forcë se ne shqiptarët, por atyre u paguhen trajnerët më të mirë, biznesmenët u afrohen si sponsorë. Ata janë patriotë në sport, e ne jemi në TikTok. Tek ne nuk funksionon kjo gjë”.
“Thjesht kemi lindur të vuajmë si popull, ëndrrat tona janë ndalur gjithmonë në rrugë. E kam fajin vetë, sepse duke u prezantuar si patriot me zemër që jam, s’u hyra kurrë në zemër të huajve. “Mos u fut kështu i veshur në ring”, më thoshin promotorët e huaj. “Mos fol vetëm shqip”, më thoshin, “se po ia arrite të të njohin të huajt, atëherë ia dole, bën kontratë me ne”. Unë jo, vetëm “Shqiptar, shqiptar, shqiptar”, duke menduar se edhe si shqiptar i vërtetë, i pashitur, do t’ia dal. Por bash shqiptarët e mi u munduan të ma pinë edhe gjakun; u kanë interesuar vetëm xhepat e tyre”.
“Jam 26 vjeç, në moshën më të mirë për boks, por është më i lodhur shpirti, s’mundem më. Duhet ta pranoj: kam lindur në vendin e gabuar. Edhe pse i mërzitur, e di sa gabime kemi si shtet dhe si popull, por nuk ju dal dot kundër. Deri në vdekje shqiptar, patriot me zemër. Zoti kaq kishte shkruar për mua. Do më mungoni shumë”.
“Faleminderit për çdo të mirë dhe të keqe. Ju dua”, shkroi ai./Telegrafi/


