Aktivitete kulturore e sportive në vigjilje të festave të nëntorit në Ferizaj
Komuna e Ferizajt ka publikuar agjendën e aktiviteteve kulturore dhe sportive që do të zhvillohen gjatë ditëve të fundit të muajit nëntor, në kuadër të shënimit të festave të nëntorit. Programi nis më 23 nëntor dhe përfshin një sërë ngjarjesh artistike, koncertale dhe sportive, të organizuara nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Më 23 nëntor, në Teatrin “Adriana”, do të hapet Festivali “Kosovarja Këndon”, ndërsa një ditë më vonë, po në të njëjtin venue, do të mbahet Festivali për fëmijë “Sidorela”. Më 25 nëntor, Shkolla e Arteve sjell koncertin dhe ekspozitën e saj në Galerinë e Arteve, raporton Telegrafi.
Aktivitetet vazhdojnë më 27 nëntor me shfaqjen teatrore “13” në Teatrin “Adriana”, ndërsa më 28 nëntor do të mbahen homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, si dhe kolonitë artistike me rastin e Ditës së Flamurit.
Po atë ditë, Federata e Volejbollit të Kosovës organizon garën “Kupa e Pavarësisë 2025”, e cila do të mbahet në palestrën e sporteve “Bill Clinton”.
Nga komuna kanë bërë të ditur se të gjitha aktivitetet mbahen nën përkujdesjen e kryetarit të komunës dhe janë të hapura për qytetarët. /Telegrafi/


