Aksion në Prishtinë, shkyçen konsumatorët që nuk kanë paguar ujin
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se ka nisur realizimin e shkyçjeve nga sistemi i furnizimit me ujë për konsumatorët që kanë borxhe të akumuluara dhe nuk i kanë përmbushur detyrimet financiare ndaj shërbimit të ujësjellësit.
Sipas njoftimit, aksioni i shkyçjeve po zbatohet në terren, ndërsa sot ndërhyrjet janë duke u realizuar në rrugën “Asllan Pireva” në Prishtinë.
Nga ndërmarrja është theksuar se vendimi vjen pas njoftimeve dhe afateve të përsëritura për shlyerjen e obligimeve, të cilat nuk janë respektuar nga disa konsumatorë.
“Pavarësisht njoftimeve dhe afateve të përsëritura për shlyerjen e detyrimeve, borxhi i papaguar ka arritur nivele të papranueshme, duke detyruar ndërmarrjen të ndërmarrë këtë masë”, thuhet në njoftim.
KRU “Prishtina” ka apeluar tek të gjithë konsumatorët me detyrime të papaguara që të ndërmarrin masa për shlyerjen e borxheve, në mënyrë që të shmangin shkyçjet dhe kostot shtesë që mund të rrjedhin nga procedurat e rikyçjes.
Në fund të njoftimit, kompania ka rikujtuar se uji është shërbim jetik dhe se pagesa me kohë përbën përgjegjësi të secilit konsumator. /Telegrafi/


