Akreditohen 28 mijë e 720 vëzhgues
Miradie Mavriqi, drejtoreshë ekzekutive për regjistrimin e partive politike dhe certifikim, ka thënë se në gjithë Kosovën janë akredituar 28 mijë e 720 vëzhgues.
“Zyra ka përgatitur dy rekomandime për akreditim të vëzhguesve. Rekomandimi i parë ka të bëjë me subjektet politike dhe OJQ-të, gjegjësisht e ka përgatitur raportin për 1.219 vëzhgues të partive politike, pesë të nismave qytetare, tri ambasada, një organizatë ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe një institucion ndërkombëtarë, si dhe ka përgatitur edhe rekomandimin për akreditimin e grupit të dytë të shtëpive mediatike - gjithsej nëntë shtëpi mediatike që kanë aplikuar për akreditim të vëzhguesve me gjithsej 91 vëzhgues. Nëse mblidhen këto dy rekomandime, janë 1310 vëzhgues”, ka thënë Mavriqi.
Në mbledhjen e KQZ-së, janë miratuar edhe disa pika të tjera të rendit të ditës siç ishin shqyrtimi dhe miratimi për menaxherët e QV-ve dhe stafin teknik, shqyrtimi dhe miratimi i udhëzimit mbi mënyrën e ndarjes së pozitave të KVV-ve në vend votim, shqyrtimi dhe miratimi i procedurave të QNR-së, si dhe shqyrtimi dhe miratimi i procedurave preliminare për K-vote. /Telegrafi/


