AKR thotë se i rikthehet aktiviteteve politike pas largimit të masës së pezullimit
Aleanca Kosova e Re (AKR) njofton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur heqjen e masës së pezullimit ndaj AKR,.
AKR thekson se heqja e pezullimit është bërë pas përmbushjes së të gjitha obligimeve ligjore të përcaktuara.
"Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kjo masë ishte vendosur më 12 mars 2026, ndërsa është hequr pasi AKR ka respektuar afatin ligjor prej 45 ditësh, duke mbajtur Kuvendin Zgjedhor dhe duke përmbushur kërkesat përkatëse procedurale.
AKR e konsideron këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të mëtejshëm institucional dhe politik të subjektit tonë. Ne mbetemi të përkushtuar për funksionim transparent, respektim të ligjit dhe përfaqësim dinjitoz të qytetarëve të Republikës së Kosovës", thuhet në njoftim.
AKR thekson tutje se strukturat e reja të dala nga Kuvendi Zgjedhor do të angazhohen menjëherë në fuqizimin e partisë, rritjen e besimit qytetar dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme politike. /Telegrafi/


