Agjenti sekret me bombë në brekë (Video)
Burri ka rrezikuar jetën e tij për t’iu afruar njërit prej liderëve të al-Qaidas – ekspertit të eksplozivëve nga Jemeni, me origjinë saudite, e që ka edhe pasaportë britanike. Shërbimi ushtarak britanik MI5 ka rekrutuar agjentin për operacionin përmes të cilit CIA amerikane ka planifikuar ta vrasë ekspertin e Jemenit, me ndihmën e një fluturakeje pa pilot.
MI6 – shërbimi sekret britanik - pastaj ka punuar me sauditët, të cilët më herët janë futur në grupet e al-Qaidas në Gadishullin Arabik, me bazë në Jemen.
Sauditi është dërguar që ta eliminojë Ibrahim Hassan al-Asirin, ekspertin e pamëshirshëm të bombave, të lindur në Arabinë Saudite. Ai është futur në grupin terrorist - duke rrezikuar ekzekutimin nëse zbulohet - dhe lajmërohet si vullnetarë për të qenë sulmues vetëvrasës.
Agjenti dy javë më parë ka bartur pajisjen e al-Qaidas, të cilën është dashur ta përdorte për sulm në aeroplanin që ka fluturuar drejtë SHBA-ve. Me bombë ai ka udhëtuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, pastaj në Arabinë Saudite, para se t’i dorëzohet britanikëve.
Ai i ka dhënë informatat që çuan në sulmin e CIA-s të dielën, gjatë të cilit vritet Fahd Mohammed Ahmed al-Quso, përgjegjësi për operacionet e jashtme të al-Qaidas. Asiri nuk ishte në vendin e njëjtë gjatë sulmit, kështu që ai tashti është në arrati.
Pajisja e cila ishte fshehur nën rroba, iu dorëzua laboratorit të FBI-së në Quantico të Virgjinias, ku është vërejtur ngjashmëria me pajisjen të cilën e ka përdorur Umar Farouk Abdulmutallab në fluturimin transatlantik për Krishtlindjet e vitit 2009.
FBI ka zbuluar se Asiri ka përsosur prototipin të cilin e ka zhvilluar për vëllanë e tij - për operacionin e tij vetëvrasës të para tri viteve - dhe i cili mund të aktivizohej në dy mënyra.
Besohet se shërbimi britanik i zbulimit dhe forcat e sigurisë janë të pakënaqura me faktin se roli i tyre në gjithë këtë ka dalë në publik. Ata kanë frikë se kështu mund të rrezikojnë rekrutimin e agjentëve të ardhshëm. /Telegrafi/


