Please enter at least 3 characters.

3 Musketarët Ekzekutiv

EULEX-i tashmë është në prag të nënshkrimit të një protokolli me Serbinë. Kjo marrëveshje, sipas EULEX-it është në kuadër të kompetencave ekzekutive që ka ky mision. Madje, EULEX-i thirret në një referencë në këtë nismë të tij, ngase bazohet në një letër-ftesë që presidenti i vendit Fatmir Sejdiu i pati dërguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Havier Solana në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në këtë ftesë kryetari Sejdiu i referohej Planit të Ahtisaarit me fuqinë ekzekutive që i jepet EULEX-it.

Misioni Evropian - EULEX, në Kosovë është vendosur pas Planit 6- pikësh, të hartuar dhe propozuar nga Ban Ki-moon, sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, e i cili plan ka gëzuar pëlqimin e Serbisë. Prandaj në këtë kontekst, mandati i EULEX-i nuk është i qartë sipas Planit të Ahtisaarit, por me një plan shtesë, të cilin qytetarët e Kosovës e kanë kundërshtuar. Nëse vizitoni ueb faqen e EULEX-it, tek informacioni për këtë mision thuhet se EULEX është në Kosovë në mbështetje të Rezolutës 1244, atëherë ky është fakti që dëshmon se plani 6 pikësh i Ban Ki-moon të cilin z.Thaci e ka shpallur të vdekur, është i gjallë.

Protokolli që EULEX do ta nënshkruaj me Serbinë, pa pjesëmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me shprehjen e z. Kermabon, i cili e thotë me plot krenari që institucionet e Kosovës janë në ulësen e shoferit. Më tutje kjo sjellje e EULEX është në kundërshtim edhe me zotimin e këtij misioni që të lejoj pronësi dhe përgjegjësi të vendimmarrjes të kosovareve kundrejt proceseve.

Megjithëse substanca e protokollit nuk duket të jetë e keqe sepse është kontribuuese për luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës, EULEX po e nënshkruan këtë protokoll me shtetin i cili nuk denoncoi asnjëherë shkatërrimin e pikave kufitare në Kosovë,përkundrazi nxiti shkatërrimin e tyre. EULEX po nënshkruan protokollin për të ndihmuar luftimin e kontrabandës me një shtet, i cili vazhdon pengimin e vendosjes së doganës në pikat kufitare të Kosovës me këtë shtet. Është detyrë e doganave të luftojnë kontrabandën. Pra, ky protokoll shënon gabimin në hapa të EULEX-it, ata hedhin hapin e 10-të me Serbinë para se të parit. Kështu EULEX po përshpejton në hapa duke u përpjekur të nënshkruaj protokolle me shtet fqinje pa definuar qartë marrëdhëniet me vetë autoritet vendore në Kosovë. Tek e fundit EULEX është i themeluar ti shërbej Kosovës. Në frymën e arritjes së këtyre marrëveshjeve teknike, i lutem EULEX që të bëjë diçka edhe për më shumë se 2000 shqiptaret e zhdukur, për fondin pensional të vjedhur nga regjimi i Millosheviqit dhe për shumë çështje të tjera “teknike” që karakterizojnë kontestet në mes Kosovës dhe Serbisë.

Tani le të kthehemi tek institucionet tona. Sjellja e krerëve shtetëror le shumë për të dëshiruar. Presidenti i vendit, i cili është profesor i Juridikut, i dërgon ftesë EULEX-it pa analizuar mirë përmbajtjen e letrës. Z.Sejdiu hyri në debat me z.Kermabon për domethënien e letrës, paraqitjet e tij në medie shiheshin edhe si pendim për letrën që ka dërguar e cila i njeh autoritetin ekzekutiv EULEX-it, duke shkelur kështu parimet demokratike dhe rregullat juridike të rregullimit shtetëror të cilat nuk njohin dy fuqi ekzekutive brenda një njësie territoriale, por paradoksalisht ne në Kosovë kemi 3 të këtilla; ICO, Kryeministri dhe EULEX.

Në debatin për këtë protokoll të EULEX me Serbinë, po harrojmë se këto situata u paralajmëruan nga Lëvizja Vetëvendosje e cila u demonizua nga spektri politik i vendit dhe sidomos nga autoritetet ndërkombëtare. Më tutje, këto zhvillime kanë edhe një kuptim tjetër, që institucionet e Republikës janë larg përmbushjes së mandateve të tyre, përderisa ndërkombëtarët po punojmë në realizimin e agjendës së tyre politike. Nuk jam i sigurt se sa kjo agjendë po kontribuon në zgjidhjen e problemeve sociale në vend. Përderisa ne dënohemi me mos liberalizim të vizave nga BE, sepse kemi krim të organizuar dhe korrupsion, EULEX thotë se ai është shefi për koordinimin e luftës ndaj këtyre dy fenomeneve. Një gjë është e sigurt se këtë debat por edhe zhvillimet e ardhshme të kësaj natyre, publiku kosovar nuk po arrin t’i kuptoj me kohë, jo sepse nuk mundet, por sepse qytetaret e vendit injorohen nga proceset politike.

(Autori është koordinator i Aksionit Qytetar FOL’08)