234 të pickuar nga rriqrat sivjet, shënohet viktima e parë
Banorët e fshatrave të Malishevës, e cila është ndër mjediset më të rrezikuara në vend, shprehin brengat për familjarët e tyre, të cilët të shumtën e kohës e kalojnë duke punuar në fushë apo duke kullotur bagëtitë.
Ndër fshatrat më të prekura nga ethet hemorragjike konsiderohet të jetë Carralluka. Fadil Krasniqi, udhëheqës i fshatit, thotë që frika se një ditë mund të preken të gjithë nga pickimi i rriqrave është rritur, sidomos tani kur pjesa më e madhe e popullatës punon në fushë.
Ai ka kritikuar Kuvendin Komunal të Malishevës për mos angazhim rreth informimit të banorëve për mbrojtjen nga ethet hemorragjike.
Nga ana tjetër, Shefqet Paçarizi, koordinator i Shtëpisë së Shëndetit në Malishevë, thotë se ky institucion ka ndërmarrë fushata sensibilizimi në të gjithë shkollat e komunës. Ai e sheh të pamundur realizmi e ndonjë projekti, i cili do të mund të bënte eliminimin e rriqrave.
Që nga fillimi i vitit në Malishevë kanë kërkuar ndihmë mjekësore 234 pacientë nga pickimi i rriqrave. Ndërsa, të dielën në Klinikën Infektive në QKU ka vdekur një grua nga rrethi i Malishevës. Mjekët thonë që ajo ishte e infektuar me ethet hemorragjike.
Shemsedin Dreshaj, udhëheqës i Klinikës Infektive, thotë që dy nga pacientët që po trajtohen në këtë klinikë janë në gjendje më të rëndë shëndetësore. Gjatë një bisede për KTV-së ai ka shtuar se klinika është e gatshme të pranojë çfarëdo fluksi të pacientëve dhe se sigurimi me barna të duhura është i mjaftueshëm.
Ethet hemorragjike për herë të parë në Kosovë janë paraqitur në vitin 1954 në fshatin Nishor të Suharekës. /Kohavision/


