20 rrugë për 20 gra të vrarë në një vit, aktivistët e Kolektivit Feminist në Tiranë me aksionin simbolik
Mbrëmjen e së enjtes, aktivistët e Kolektivit Feminist në Tiranë, ndërmorën një aksion simbolik dhe ndërgjegjësues, si reagim për gratë e vrara nga dhuna patriarkale në Shqipëri.
Në reagim thuhet se hapësira publike, kryesisht monopol patriarkal, është zaptuar përmes zëvendësimit të 20 emrave të rrugëve të kryeqytetit, me emrat e 20 viktimave të femicidit përgjatë gjithë vitit të shkuar, përfshirë rastin më të fundit, atë të Gjyle Topallit, disa ditë më parë, në Vaun e Dejës.
“Në një shoqëri ku dhuna strukturore dhe patriarkale i shndërron gratë në viktima dhe burrat në kriminelë e ku krimi justifikohet e për të cilin vazhdimisht fajësohet viktima, reagimi masiv për një transformim rrënjësor është domosdoshmëri.
Mbi të gjitha, vrasja e grave dhe dhuna me bazë gjininë, nuk janë çështje private por shoqërore dhe politike. Për pasojë, adresimi i tyre meriton vëmendje gjithëpërfshirëse dhe akte konkrete institucionale që garantojnë drejtësi për viktimat; mbrojtje, siguri e mirëqenie për të mbijetuarat dhe politika sociale që parandalojnë dhunën dhe hapin rrugën për barazi e drejtësi shoqërore”, thuhet në reagim.
Në kujtim të secilës që u nda dhunshëm, bashkohemi në përpjekjen e vazhdueshme për një jetë me dinjitet dhe në liri!
Lumturie Bici, 50 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Librazhd, 2021Klarita Ismalaja, 45 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Krujë, 2021Diana Vuka, 59 vjeç, vrarë nga i vëllai, Shkodër, 2021Zhaneta Metani, përdhunuar, shfrytëzuar për prostitucion dhe vrarë nga Përparim Tela, Tiranë, 2021Kristina Bardhi, shfrytëzuar për prostitucion dhe vrarë nga Përparim Tela, Tiranë 2021Liljana Buzo, 54 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Elbasan, 2021Dorina Alla, 39 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, në prani të fëmijëve, Itali, 2021Fëllënza Shirja, 45 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Kavajë, 2021Irvana Hyka, 28 vjeç, vrarë nga bashkëshorti në prani të fëmijëve teksa ishte shtatzënë, Fier, 2021Luljeta Heshta, 47 vjeç, vrarë nga partneri, Itali, 2021 Sanije Bandula, 83 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Shkodër, 2021 Anisa Shehu, 31 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Greqi, 2021 Joana Peca, 27 vjeç, qëlluar nga bashkëshorti në prani të fëmijëve, Florida, SHBA, 2021Sabrina Bengaj, 23 vjeç, vrarë nga ish-bashkëshorti, Fier, 2021 Violeta Gurraj, 47 vjeç, vrarë në shtëpinë e saj nga bashkëshorti, ShkodërFëllënxë Rrasa, 45 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Divjakë, 2021Jawsackie Jaboah, 31 vjeç, vrarë nga bashkëshorti shqiptar, Tiranë, 2021Elinda Topalli, 50 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Austri, 2021Elona Ibrushi, 36 vjeç, vrarë nga bashkëshorti, Greqi, 2021Gjyle Topalli, 40 vjeç, vrarë nga ish-bashkëshorti, Vau i Dejës, 2022. /Telegrafi/


