Site icon Telegrafi

​Ambasadori amerikan zotohet për mbështetje ndaj Kushtetueses

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Philip Kosnett ka takuar kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.

Kosnett në këtë takim u zotua për vazhdimin e mbështetjes e Amerikës ndaj Gjykatës Kushtetuese, kjo me qëllim të forcimit të gjyqësisë së pavarur dhe sundimit të së drejtës në Kosovë.

“Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Gresa Caka – Nimani, priti sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett. Pasi që e falënderoi për vizitën, kryetarja Caka – Nimani e njoftoi ambasadorin Kosnett me punën e deritanishme të Gjykatës, si dhe me prioritetet e saj gjatë mandatit tre vjeçar në krye të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo shprehu mirënjohjen për përkrahjen që Qeveria amerikane i ka ofruar Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet projekteve të ndryshme për konsolidimin e saj institucional që nga themelimi dhe theksoi nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen. Pasi që i uroi suksese Caka – Nimani në detyrën e Kryetares së Gjykatës, ambasadori Kosnett u zotua për vazhdimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Gjykatën Kushtetuese dhe për institucionet e tjera në vend, me qëllim të forcimit të gjyqësisë së pavarur dhe sundimit të së drejtës në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën për media nga Gjykata Kushtetuese.

Exit mobile version