Ezgjan Aliovski dhe skuadra e tij Leeds United kanë filluar të ëndërrojnë rikthimin e madh në Ligën Premier.

Pas pesë javëve në Championship, Leeds po e sheh vetën si kryesues me 13 pikë të grumbulluara, duke marrë katër fitore dhe një barazim.


Fitorja e katërt erdhi në fushën e Norwich Cityt dhe ishte bindëse 0-3.

Mesfushori polak, Mateusz Klich realizoi golin e parë në ndeshje pas 21 minutave lojë, pasi më parë portieri vendas kishte pritur goditjen me kokë të Aliovskit.

GettyImages 876251932 Ezgjan Aliovski . (Getty Images)

Vetëm pesë minuta më vonë radha ishte për shqiptarin Ezgjan Aliovski që të shënonte.

26-vjeçari u asistua nga Roofe, dhe me një goditje të fuqishme ngriti epërsinë në 0-2.

Goli i tretë në këtë takim dhe i fundit u shënua nga mesfushori spanjoll Pablo Hernandez.

Për Aliovskin, goli ndaj Norwichit ishte i dyti këtë edicion në Championship derisa ka bërë edhe dy asistime.

Në javën e ardhshme, Leeds United do ta zhvillojë derbin me Middlesbrough. /Telegrafi/

telegrafi sport app