LAJMI I FUNDIT:

ALEGORI E FLUTURAVE

ALEGORI E FLUTURAVE

Poezi nga: Farid al-Din ‘Attar
Përktheu: Maksim Rakipaj

U mblodhën të gjitha fluturat një natë,
ku ishin e ku s’ishin, të gjitha bashkë.
U mblodhën dhe folën, se donin të dinin:
“Ç’të jetë vallë, kjo flakë e qiririt?”

U nis e para, shkoi tek një kështjellë,
të shihte qiririn dhe lajme të sjellë.
I shkoi ajo kështjellës rreth e përqark,
u kthye, rrëfeu, gjithë ç’kishte parë,
si qe ky qiriri dhe si e kish flakën.
“Nuk na the gjë! – i tha Flutura Plakë.

U nis tjetra, më trime, më shumë u qas
te qiriri e shkreta, për pak u përplas.
I shkoi qiririt ca herë vërdallë,
u kthye, rrëfeu gjithë ç’kishte parë.
Por Flutura Plakë s’luan nga e vetja:
“S’the gjë as ti xhan, njësoj si ajo tjetra”.

U nis e treta në fund, si e dalldisur,
afroi te flaka krahët e qëndisur,
e tëra u ndeh dhe ashtu gjithë gëzim,
e dehur, përfshiu flakën në përqafim.
Me flakë qiriri ja ktheu përqafimin,
sa u bënë njësh ajo edhe qiriri.

Dhe kur së largu e pa Flutura Plakë,
njësh me qirinë dhe mbështjellë në flakë,
pa si digjej e lëshonte dritë e shkëlqim
e tha: – “E arriti qëllimin, tani ajo e di”.

Më shumë di ai, që veten shpie në harrim,
veten me trup e shpirt deri në vetëmohim,
ndryshe s’njeh të dashurën, s’njeh as dashurin’.