Alarm për bombë në aeroplanin e "British Airways", bën ulje emergjente (Video)

Sipas medieve ndërkombëtare, mendohet që kishte dyshime për bombë në aeroplan, dhe si pasojë mendohet që piloti e kërkoi uljen emergjente, transmeton lajmi.net
Fluturimi me kodin BA274, ka aterruar suksesshëm në orën 05:47 në aeroportin Trudeau në Montreal, ndërsa të gjithë 328 pasagjerët dhe ekuipazhi janë evakuuar.
François-Nicolas Asselin, zëdhënës i aeroportit ndërkombëtar “Pierre Elliott Trudeau” në Montreal, ka thënë për “The Star”, se 312 pasagjerë dhe 16 pjesëtarë të ekuipazhit janë evakuuar nga aeroplani i tipi Boeing 747-436.
“Piloti ka kërkuar të bëjë diversion në Montreal-Trudeau, kështu që aeroplani ka aterruar pa problem vetëm pak para orës 6 këtë mëngjes”, ka thënë Asselin, duke mos konfrimuar dyshimet e ngritura për bombë në bordin e aeroplanit.
Pasagjerët kanë dalë nga aeroplani dhe kanë pritur në pistë për disa minuta për të ardhur autobusi që do ti transportonte në terminal, ka treguar ai.
Asselin ka thënë se nuk mund ta konfirmojë shkakun e aterrimit të aeroplanit në Montreal.
“Ka qenë një masë parandaluese e marrë nga piloti. Unë nuk kam më shumë informacione”, ka vazhduar ai.
Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Montrealit (SPVM), Jean-Pierre Brabant ka thënë se rreth orës 08:20 aeroplani ka qenë akoma në pistë.
Bagazhi i pasagjerëve do të largohen nga aeroplani dhe më pas policia dhe ekipet e SWAT, do të bëjnë kërkime brenda aeroplanit, ka thënë ai.
Në një njoftim, British Airways ka thënë se aeroplani ka bërë zbritje në Montreal, pasi një gjë të tillë e kishte kërkuar piloti kapiten për të devijuar drejtimin për masa preventive.
Kompania ajrore ka thënë se ajo ka siguruar dhoma të hotelit për pasagjerët dhe do t’u ofrojë mundësinë e fluturimit sa më shpejtë që të jetë e mundur.
“Ne po punojmë me autoritetet kanadeze dhe po u japim atyre mbështetjen e plotë”, ka thënë kompania në një njoftim.

















































