Komuna e Prishtinës ka bërë sot të ditur se IKSHPK ka përfunduar analizat përfundimtare të mostrave të datës 23 korrik 2025, dhe rezultatet kanë konfirmuar se cilësia e ujit të pishinës së Gërmisë është brenda standardeve të përcaktuara sipas rregullores për cilësinë e ujit në pishina. Bazuar në këto rezultate, IKSHPK ka dhënë leje për rihapjen e pishinës.

Nga Komuna kanë shprehur shqetësimin për komunikimet publike të parakohshme, të cilat siç theksojnë krijuan alarm dhe konfuzitet në opinion, në një kohë kur analizat zyrtare ende nuk ishin finalizuar.


“Apelojmë që në të ardhmen çdo komunikim që prek drejtpërdrejt qytetarët të bazohet vetëm në rezultate zyrtare dhe përfundimtare nga institucionet përgjegjëse. Qytetarët ftohen të shfrytëzojnë hapësirat e Gërmisë, me garancinë se Kryeqyteti dhe Ndërmarrja Publike Lokale ‘Sport Marketing’ SH.A. mbeten të përkushtuara ndaj transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit publik”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/