LAJMI I FUNDIT:

I akuzuari Muhamet Alidemaj thotë se kur ndodhi masakra e Izbicës, kishte qenë tek axha duke e festuar Bajramin

I akuzuari Muhamet Alidemaj thotë se kur ndodhi masakra e Izbicës, kishte qenë tek axha duke e festuar Bajramin

I akuzuari për krime lufte Muhamet Alidemaj deklaroi se ditën kur kishte ndodhur masakra e Izbicës, kishte qenë tek axha i tij në Jakovë, duke festuar festën e Bajramit.

“28 mars, Bajram u kanë munet me ardhë me vërtetu, u kanë njeri dëshmitar ku u ble kingj ose delme, çka është nuk e di se mixha e ka ble, Milan Obaçiq e ka ther, edhe i blem është prej Nenad Boriqit”, tha i akuzuari Alidemaj.


Alidemaj ngarkohet se kishte marrë pjesë bashkë me policë dhe ushtarë serbë në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar mbi 130 shqiptarë.

Sipas tij, nga gjysma e shtatorit të vitit 1998 deri në mars të vitit 2021 kurrë nuk kishte ardhur në Kosovë, pasi që sipas tij nuk kishte interes të vinte dhe se në Jakovë ishte martuar e punësuar.

Alidemaj tha se arsyeja pse kishte ardhur në vitin 2021 në Kosovë ishte për shkak se motra i kishte thënë se e ka babanë e sëmurë.

“Motra m’tha nëse ki mundësi ish kanë mirë me ardhë me pa se babën e ki shumë pa qef… edhe nja 1 muj ditë u kanë po vi s’po vi.. edhe gruaja thojke jo s’kthehesh, jo s’vjen ma kurrë, po e vendosa me ardhë”, tha Alidemaj.

I akuzuari tha se babai i tij ishte në gjendje të keqe e më pas kishte ndërruar jetë. Tha se kishte ardhur me autobus nga Beogradi në Pejë dhe se nuk kishte pasur problem në kufi e që të gjithë e kishin ditur se kishte ardhur.

Ndër të tjera, i akuzuari Alidemaj tha se të nesërmen pasi që kishte arritur në shtëpinë e tij në fshatin Kërrninë, në mars të vitit 2021 Policia kishte shkuar ta kërkonte.

“Unë më 28 kam mbërri kah në 4:00- 4:15 të mëngjesit. Më 29, 10:00 ora dy policë kanë ardhë te shpija unë jom kanë t’u nejt te nana në sallon… dhe kur erdhën tash s’më kujtohen a mesa a motra, kush më ka thanë se po të kërkojnë policia, kam dalë menihere i kam përshëndet”, tha Alidemaj.

Ai thotë se nga dëshmitarët e Prokurorisë i njeh vetëm Islam Danin dhe Haxhi Metajn, duke shtuar se motra e tij i kishte treguar se dëshmitari Dani me babain e tyre kishin pasur mosmarrëveshje lidhur me një pronë.

Alidemaj shtoi se motra e tij i kishte thënë se nuk e kishin shpallur të zhdukur, duke shtuar se ai është i akuzuar për krime lufte nga dëshmitari Dani si shenjë “hakmarrje” për problemin që kishte me babanë e tij.

“Une mendoj e qashtu është se Islam Dani ka hanger, ka pi, u shoqnu me familjen time, ka punu, ka zidu, ka ly me vëllaun e vet. Motra jem ju ka jep me honger, me pi, mësit u kanë për vëllaun tem… e kur ka ndodh kjo ngjarja tash me babën për tokë, qysh me ia kthy, u ktheva unë edhe menihere për krime lufte, tjetër s’munesh me prit prej tina”, tha ai.

Alidemaj pretendon se Dani ia kishte rrahur babanë.

“Babën ma ka rreh, zi e ka pas faqen qishtu m’kanë thanë motrat, sa është e vërtetë, unë nuk muj me thanë”, tha i akuzuari Alidemaj.

Paraprakisht, i akuzuari theksoi se para vitit 1998 e deri në muajin maj të atij viti, ka jetuar në fshatin Kërrninë, Komuna e Istogut me familjen e tij, e më pas kishin shkuar tek dajtë e tij në fshatin Tushilë në Komunën e Skenderajt deri në gjysmën e shtatorit.

Ndër të tjera, ai tha se më pas kishte shkuar në fshatin Veriq në Komunën e Istogut tek halla e tij për t’ia kërkuar disa para hua dhe nga aty ishte nisur në Beograd tek axha i tij, në lagjen Jakovë.

Alidemaj tha se vitin e ri 1999 e kishte kaluar në Borq të Serbisë, duke shtuar se kur kishin filluar bombardimet në muajin mars, kishte qenë tek axha i tij.

I akuzuari tha se nuk ka dokument të Kosovës, por që është shqiptar dhe se i vjen keq që kishte ndodhur ai rast dhe se kriminelët që kishin kryer krimet e luftës duhet të gjykohen nga gjykata e jo ai që sipas tij nuk ka lidhje me ato ngjarje.

Ai thotë se në Beograd ishte zhvendosur vetëm për arsye financiare, se pak e kishte kaluar jetën me familjen e tij dhe se kurrë nuk ka qenë pjesëtarë i forcave paramilitare, as ushtar e as polic. Alidemaj deklaron që kurrë nuk kishte qenë në Izbicë.

“Jom i pafajshëm dhe jom tu vujt burg pa pikë darihak”, tha Alidemaj.

Paraprakisht, në këtë seancë u bë paraqitja e provave materiale të listuara si në aktakuzë nga ana e prokurorit special, Ilir Morina.

Në këtë seancë, trupi gjykues aprovoi edhe propozimin e palës mbrojtëse që si provë materiale të administrohet edhe aktgjykimin në të cilën ishte gjykuar dëshmitari Islam Dani dhe babai i të akuzuarit Alidemaj, H.A për shkak të një kontesti pronësor që kishin, si dhe procesverbali i seancës fillestare në atë rast.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton betimiperdrejtesi.