Gjashtë persona janë arrestuar nga policia e Elbasanit me akuzën e falsifikimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit të vitit 2021.
Bëhet fjalë për grupet e numërimit të KZAZ 53, e cila përkon me Bashkinë e Prrenjasit, qarku Elbasan, ku personat e arrestuar dyshohet se kanë favorizuar kandidatë të caktuar.
Konkretisht kandidati i asaj kohe, sot deputet i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja figuron me 116 vota më shumë nga sa kishte kutia, ndërsa Ardian Zeneli, sërish kandidat i PD-së me 100 vota më pak.
Shkelja u vu re nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e cili në nëntor të vitit 2021 bëri rivlerësimin e 10 për qind të kutive të votimit, në shkallë kombëtare, nga ku rezultoi se për sa i përket votave preferenciale Lefter Gështenja mbante rekordin për parregullsi.
Pas kësaj KQZ bëri kallëzim penal për grupet e numërimit ku ishin regjistruar parregullsitë më të mëdha.
Mësohet se numëruesi kanë deklaruar se parregullsitë janë pasojë e gabimeve njerëzore për shkak të lodhjes, por do të jetë gjykata e cila do të thotë fjalën e fundit pas hetimeve të bëra nga prokuroria e Elbasanit.
Në pranga kanë rënë: Erald Karriqi, 35 vjeç, banues në Prrenjas; Ylli Kuko, 35 vjeç, banues në fshatin Karkavec, Prrenjas; Durim Alla, 49 vjeç, banues në Prrenjas; Erjon Dashi, 31 vjeç, banues në fshatin Berzeshtë, Prrenjas; Mili Vasku, 33 vjeç, banues në fshatin Rrajcë Fushë, Prrenjas; Olgert Aalla 40 vjeç, banues në Prrenjas. /Telegrafi/
DVP Elbasan
Falsifikuan materialet zgjedhore të procesit zgjedhor të datës 25.04.2021, vihen në pranga 6 shtetas…
Posted by Policia e Shtetit on Thursday, 30 June 2022