I prerë, me një kumt të akullt, plot me shpërfillje e shpoti si gjithherë dhe i bindur se me këto elemente të sjelljes së tij rutine kryeministrore do të ndalë përfundimisht qëndresën e zbehtë të komunitetit të artistëve, disa prej të cilëve ishin të ftuar në një takim për të mos u dëgjuar e për të mos folur por vetëm për ta dëgjuar atë, zoti Kryeministër duket se u dha fund edhe shpresave të vagëlluara se godina e teatrit nuk do të prishet. Kështu, me vendimin e tij që kumtoi atë ditë në atë sallë memece, ai nënshkroi aktin e fundit të dramës urbane në qendër të Tiranës. Të zaptimit e tjetërsimit të asaj pjesës që ende kish mbetur deri tani e pazaptuar, në ato pak mijë metra katrorë që qarkojnë atë ngrehinë, që quhet “teatri kombëtar”.
E rrënuar prej moskujdesit të qëllimshëm sistematik, se sido që ta vërtisësh arsyen nuk bie në përfundim tjetër, me fasadën e vet të vrugnuar, gati të abandonuar, skicuar 80 e sa vjet më parë si “dopolavoro” e italianëve, që ishin atëherë këtu, mirë a keq mbart historinë si ngrehina ku u themelua ai, teatri kombëtar. Dhe, në një vend normal, që qeveriset prej një qeverie të zgjedhur në demokraci, një shembje e tillë nuk mund të ndodhë. Nuk mund të ndodhë që të shembet historia me një të rënë lapsi të një njeriu. Qoftë ky edhe kryeministër. Se përballë tij do të gjendeshin artistë, zëri i të cilëve do të kumbonte deri sa të shkundte timpanin e veshit të udhëheqësit që nuk dëgjon. Po në kor me ta do të ishin edhe shumë e shumë zëra të tjerë qytetarë, që do ta detyronin udhëheqësin të shikonte derën nga të dilte…Se është shumë dramatike të shembësh e të shkulësh rrënjët e vlerave historike të vendit tënd.
Po, me gjasë kjo do të ndodhë, teatri me të vërtetë edhe mund të shembet(!). Përderisa këtu ndër ne, në këtë mënyrë, është zhbirë e zhbërë shumëçka nga identiteti ynë.
Dhe, nëse kjo do të ndodhë, kush do të mund ta besojë më prej brezave të mëpastajmë se edhe në Tiranë ka pasur ndonjëherë një godinë ku është bërë e luajt teatër?
Asnjë shenjë, asnjë dëshmi s’do të mbetet më nëse ajo ngrehinë do të shembet dhe diku aty afër vendndodhjes së saj të sotme do të jetë ngritur një ngrehinë tjetër e betontë a e xhamtë, diçka si kubiste, që mbas monstrimit të parë publik që i është bërë atij projekti, me dixhiturën poshtë: Teatri fyen rëndë shijen më të zakonshme qytetare. E do të rrethohet me kulla të larta, çka të ngjajë si një synim për ta groposë thellë e më thellë kujtesën për godinën e bashkë me të, gjithë historinë që ajo mbart…
Në Tiranë, vërtet pak më vonë, por në Shqipëri edhe teatri ka një historinë e vet të hershme. Zanafilla është në Shkodër, në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Njëri prej emblemave të këtij zhanri të arteve në Shqipëri, aktori dhe regjisori Lec Shllaku, në librin e vet “Maskat shkodrane”, Shkodër 2002, sjell si fillesë të teatrit të mirëfilltë të komedisë vitin 1860 (?), kurse salla e parë laike, në të cilën u mbart trupa e parë e komedianëve t’Oborrit të Fishtorëve-shkruan ai- që mbas kazermës…që kishin ndërtue turqit ndonjë vjetë ma parë. Garnizoni turk e hoqi prej andej depon e ndërtesa mbeti e mbyllun e po fillonte të damtohej. Me kërkesën e grupeve teatrore, nji tregtar nxori leje prej komandës së garnizonit që ta riparonte e ta përshtaste për shfaqje… (Është viti 1891!)
Kurse, shumë pak vite më vonë, në fillimin e shekullit të shkuar, vetëm në Shkodër kishte jo më pak se 7 salla shfaqjesh teatri. Pranë shkollave si Liceu Ilyricum i françeskanëve kur ishte futur, me shumë mund e përpjekje gjuha shqipe si gjuhë më- simi, nga drejtori i saj Gjergj Fishta me 1902, njëherësh u ngritën edhe sallonet e para të shfaqjeve. Pra, Teatri.
Salloni i jezuitëve me 450 vende (ishte ngritë që me 1890), i françeskanëve me 300 vende, i motrave stigmatine (1914) me 250 dhe që nga viti 1919 edhe një teatër veror me 600 vende në oborrin e shkollës françeskane. Pas dhjetëvjetëshit të parë të shek.XX, vijnë sallonet e shoqërive kulturore të qytetit: Bogdani (me 350 vende), Rozafat (me 400 vende), Vllaznia (me 400 vende), Shkolla e Parrucës (me 400 vende)… Në vitet ’30, në Shkodër bëheshin shtatë teatro (ndonjë edhe kinoteatër), me gjithsej 2500 vende. T. Çobani, “Koha Jonë”, 10.03.2018 .
Në këto salla janë luajtur asokohe pjesë dramatike, krijime të autorëve shqiptarë (krijime sipas Molierit e Shekspirit), po kryesisht pjesë origjinale nga po autorë shqiptarë, Fishta, Anton Xanoni, Hilë Mosi, Kolë Mirdita (Helenau), Zef Mark Harapi etj… E interpretë të këtyre pjesëve në sallat teatrore të Shkodrës; Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Marije Logoreci, Gjon Karma e të tjerë janë më pas bashkëthemelues të Teatrit Kombëtar në Tiranë, që sot duan ta shembin…
E ndërkohë që ngulmohet shembja e teatrit, janë ringritur si dëshmi të historisë sonë, “Shtëpia e Gjetheve”, domethënë shtëpia e zezë e spiunëve, bunkeri bunkart e ngrehina të tilla që… E ç’përfaqësojnë gjithë këto në historinë tonë? Njërën prej pjesëve më makabre të saj. Po, të historisë sonë, që s’mund ta zhbëjmë e s’kemi pse ta fshehim. Po atëherë, pse gjithë kjo neveri e histeri për godinën e teatrit? Që mirë a keq, është shtëpia e parë, është zanafilla e teatrit kombëtar. Që për një vend normal është histori qytetërimi.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Rrugëtimi i hidhur i gjuhëtarit nga Gjakova, Selman Riza
MOS FOL SHUMË
A duhet të shqetësohemi për ndjenjat e inteligjencës artificiale?
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët