Aktgjykimi i Kushtetueses, Gjini i AAK-së: Fitoi demokracia, shteti nuk i nënshtrohet një individi
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në aktgjykimin e shpallur sot konstatoi se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve.
Gjykata tutje ka konstatuar që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.
Pas publikimit të këtij aktgjykimi, ka reaguar edhe Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Gjini në një postim në Facebook shkruan se Kosova nuk është dhe nuk mund të bëhet diktaturë
“Me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese një gjë është e qartë, Kosova nuk është dhe nuk mund të bëhet diktaturë. VV duhet ta propozojë kandidatin-en për Kryeparlamentar dhe deputetët të votojnë në votim të hapur”, shkruan Gjini.
Sipas tij, nuk mund të abuzohet në pafundësi me propozim vetëm të një kandidati dhe nuk mund të mbahet peng shteti vetëm për siç thotë ambicie të sëmurë të një personi.
“Shteti nuk i nënshtrohet një individi”, shkruan ai. /Telegrafi/












































