Aktakuzë ndaj dy personave për marrje dhe dhënie të ryshfetit në Pikën Kufitare të Vërmicës

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, A.K. dhe B.C., nën dyshimin e bazuar mirë se kanë kryer vepra penale që lidhen me marrjen dhe dhënien e ryshfetit.
Sipas njoftimit të prokurorisë, i pandehuri A.K. akuzohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa i pandehuri B.C. akuzohet për veprat penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” nga neni 140 paragrafi 1 i KPRK-së.
Sipas aktakuzës, më 22 dhjetor 2025, rreth orës 08:10, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri A.K., në cilësinë e zyrtarit policor, dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga i pandehuri B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete. Duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe i veshur me uniformë policore, A.K. dyshohet se i ka mundësuar B.C. hyrjen në Republikën e Kosovës, ndonëse këtij të fundit i ishte refuzuar hyrja nga Policia e Kosovës për shkak të mungesës së dokumentacionit.
Pas marrjes së parave, sipas aktakuzës, A.K. e ka kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin me veturën e tij, bashkë me të pandehurin B.C., duke e dërguar atë në Prizren.
Me këto veprime, prokuroria vlerëson se A.K. ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit, ndërsa B.C. veprat penale të dhënies së ryshfetit dhe kalimit të paautorizuar të vendkalimeve kufitare ose të vijës kufitare.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, është propozuar që ndaj të pandehurit A.K., përveç dënimit kryesor, të shqiptohet edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik. /Telegrafi/

















































