Aktivistët nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, këtë të premte kanë organizuar një aksion simbolik në lidhje me kërkesën për legalizim të sprejit për vetëmbrojtje.
Ato kanë përsëritur kërkesën për legalizim të sprejit irritues për vetëmbrojtje pranë Kuvendit të Kosovës.
“Sot përsëritëm kërkesën tonë për legalizim të sprejit irritues për vetëmbrojtje pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës. Duke e konsideruar thellësisht të padrejtë kriminalizimin e mjeteve për vetëmbrojtje për vajzat e gratë, ne kërkojmë që shteti përfundimisht të përgjigjet dhe të mos vazhdojë t’ua kriminalizojë edhe më tutje mbrojtjen e vetës”, thuhet në njoftimin për media.
Tutje, thuhet se paportimet e përditshme të rasteve të dhunës seksuale tregojnë që siguria e vajzave dhe grave po vazhdon të neglizhohet nga institucionet shtetërore, duke i lënë gratë dhe vajzat të pambrojtura dhe lehtësisht të cenueshme në çdo hapësirë.
“Sulmet seksuale, përdhunimet e ngacmimet janë përditshmëria e grave dhe vajzave në Kosovë. Pra, për një pjesë të madhe, çdo ditë është luftë. Çdo ditë ato jetojnë në ankth e frikë, pa shumë mundësi mbrojtjeje. Duke qenë që shteti po dështon të ofrojë siguri, atëherë ne detyrohemi ta mbrojmë vetën, me të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion. E këtë, nuk do të vazhdojmë t’ia lejojmë shtetit të na mohojë”.
“Ne kërkojmë që përdorimi i sprejit irritues të dekriminalizohet për përdorim për vetëmbrojtje. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari siguri për vetën e secilën vajzë e grua që sot jeton me frikë. Deri atëherë kur të gjitha të jemi të lira e të sigurta!”. /Telegrafi/