Aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”, katër të lënduar

Katër persona kanë mbetur të lënduar pas një aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Suharekë – Duhel.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:00, në kilometrin e 41-të të autostradës, ku janë përfshirë një veturë Audi A3 dhe një kamionetë Mercedes.
“Si pasojë e aksidentit, katër persona kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar me autoambulancë për trajtim mjekësor. Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje për të kryer hetimet mbi shkaqet e aksidentit”, ka deklaruar Hoxha.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe të shtojnë kujdesin, veçanërisht në autostrada dhe rrugë të ngarkuara.
"Respektoni kufizimet e shpejtësisë, mbani distancën e sigurisë, mos vozitni nën ndikimin e alkoolit apo lodhjes, përdorni rripat e sigurisë dhe shmangni përdorimin e telefonit gjatë vozitjes. Çdo veprim i pakujdesshëm mund të ketë pasoja të rënda për jetën dhe sigurinë e të gjithëve", ka shtuar ai./Telegrafi/



















































