LAJMI I FUNDIT:

Aknet, të shqetësojnë ende…?

Aknet, të shqetësojnë ende…?

Nuk je më në periudhën e adoleshencës, por puçrrat të torturojnë akoma? Ndoshta nuk e di, por ato mund të jenë sinjali i ndonjë gjendjeje jo të mirë të organizmit tënd.

Aknet: një shqetësim që prek më shumë se 5 për qind të të rinjve ndërmjet moshës 14 dhe 19-vjeçare të të dy sekseve. Por ky është një problem që mund të paraqitet edhe në moshën e rritur dhe pse me një frekuencë më të vogël (rreth 10 për qind e grave nga mosha 30 deri në 35 vjeç). Mund të ndodhë gjatë një periudhe stresi psikofizik.

Por jo vetëm kaq. Puçrrat janë rezultat i një çekuilibrimi të fortë hormonal që është tipik për disa faza të jetës femërore, siç është puberteti, shtatzënia dhe menopauza. Shumë shpesh ekziston tendenca për ta nënvleftësuar këtë problem.

Në të vërtetë, një kërkim i studiuesve amerikanë mbi këtë fakt ka zbuluar se 70 për qind e personave që vuajnë nga ky shqetësim nuk marrin asnjë lloj kure. Ja se çfarë i ndodh lëkurës dhe se si mund ta kurojmë këtë problem të saj.


Ideal është truku mbulues

E gabuar. Një truk i rënduar nuk i fsheh puçrrat dhe është i rrezikshëm. Ndalon ajrosjen e lëkurës dhe i përkeqëson puçrrat. Por ekzistojnë produkte kozmetike specifike të lëkurës për këtë problem që nuk dëmtojnë por madje dhe janë kurative. Në të njëjtën kohë janë të afta dhe t’i mbulojnë mirë puçrrat.

Problemi i akneve është pasojë e mungesës së higjienës

E gabuar. Higjiena, edhe pse është e domosdoshme për të patur një lëkurë të shëndetshme, nuk është shkaktare e akneve. Merri në konsideratë arsyet e tua dhe do të shohësh që puçrrat do të zhduken.

Lëkura nuk është vetëm një shtresë mbrojtëse, por është barriera që shënon kufirin mes teje dhe botës që të rrethon. Për këtë arsye është nga të parat që tregon një gjendje jo të mirë të brendësisë tënde.

Puçrrat në të vërtetë janë një mbledhje e atyre shqetësimeve të brendshme që gjejnë një mënyrë për të dalë jashtë. Kjo është e mundur falë një lidhjeje të drejtpërdrejtë mes lëkurës dhe gjendjes psikologjike.

Streset, sidomos ato emotive, kapen menjëherë nga sistemi limbik, zona më antike e trurit tonë, e përcaktuar që të kapë emocionet dhe reagimet tona më intensive.

Personaliteti në rrezik

Ky mekanizëm bëhet më i ndjeshëm në qoftë se je një tip i pavendosur, i paaftë për të reaguar apo për të vlerësuar fjalët dhe veprimet e tua. Dhe puçrrat në këtë rast bëhen një mjet për të shprehur gjendjen tënde të sikletshme.

Por bëj kujdes, pasi ka një efekt të menjëhershëm: lëkura është gjithnjë në dukje dhe nuk mund t’i shpëtojë nga shikimi atyre që të rrethojnë.

Aknet janë sëmundje e mirëfilltë e lëkurës dhe si të tillë duhen kuruar. Në estetikë, ky fenomen quhet “lulëzim”. Trajtat e akneve ndryshojnë dhe variojnë nga karakteristikat dhe përmasat.

Ato mund të shfaqen në moshën e pubertetit, por nuk janë të pakta rastet e shfaqjes së tyre edhe në moshat adulte, herë-herë edhe te gratë në fillim të menopauzës. Kjo dermatozë mund të shfaqet vetë, krejt papritur dhe po kështu mund të zhduket.

Terapitë korrektuese të akneve ndihmojnë zonën problematike për të eliminuar aknet e dukshme dhe për të parandaluar aknet e reja. Gjithashtu ndihmon në rigjenerimin e lëkurës, pasi në disa raste rrezikon të mbetet me shenja të thella.

Veç shenjave, ky komplikim provokon edhe shqetësime psikologjike, sepse në mënyrë të veçantë shfaqet në lëkurën e fytyrës dhe kjo parehati të krijon stimulim. Këto pasoja e bëjnë të domosdoshme ndërhyrjen.

Shkaqet

1. Faktorët gjenetikë
2. Faktorët psikologjikë
3. Vështirësitë në tretje
4. Përdorimi i kozmetikës së papërshtatshme (produkte joprofesionale të cilësisë së dobët)
5. Fluksi hormonal
6. Ushqyerja e keqe: yndyrnat, salcat pikante, dieta e varfër në perime.

Etapat

Faza fillestare: Karakterizohet nga pikat e zeza (komendonët), të cilat shërbejnë si tapa që bllokojnë daljen jashtë të sekrecioneve. Rezultati është një reliev i cili i detyrohet këtij sekrecioni, që nuk mund të shkarkohet dhe grumbullohet duke shkaktuar aknet. Ky është efekt i hiperprodhimit të qelbit nën fluksin hormonal.

Faza e dytë: Krijohet inflamacion lokal i përbërë nga koloni bakteriesh.

Faza e tretë: Quhet nodulicistet. Këtu krijohen pikërisht nodule që janë shumë më të vështira se puçrrat dhe për më tepër lënë shenja të paevitueshme në lëkurë.

Në moshën adulte mund të shfaqen aknet e përskuqura veçanërisht te konsumatorët e duhanit.

Si formohen?

Gjatë adoleshencës, fluksi i hormoneve arrin deri në superprodhim dhe në rastet më të shpeshta mosbalancimi i tyre është njëri nga shkaqet.

Zonat yndyrore akumulohen në folikul (shtrati i qimes). Yndyra krijon një substancë që quhet SEBO, i cili shtohet në lëkurën e fytyrës duke dalë nga folikuli në sipërfaqe të lëkurës.

Në zonën e folikulës, ku ndodhet qelbi, zhvillohen baktere, të cilat çlirojnë kimikate që stimulojnë inflamimin dhe hapjen e folikulës. Qelbi dhe bakteret shkaktojnë skuqjen e lëkurës.

Çfarë duhet patur parasysh?

Është e domosdoshme të ekzaminohen. Nuk duhet pritur të zhduken vetë, sepse lënë shenja të dukshme në lëkurë.

Meshkujt me këtë problem duhet të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e aksesorëve të rrojës dhe produkteve në mënyrë që ato të jenë sa më të përshtatshme dhe cilësore. Makinat e rrojës duhen përdorur me delikatesë.

Terapitë me antibiotikë si tetraciklina, eritromicina etj. këshillohen për raste të rënda, sidomos kur shpërndarja e tyre përfshin, veç fytyrës, shpinën dhe kraharorin. Antibiotikët oralë reduktojnë bakteret në folikul dhe ulin skuqjet, por gjatë këtyre terapive shumë femra rrezikohen nga infeksionet vagjinale. Në këtë rast ndërpritet kura.

Ekspozimet në diell mund t’i maskojnë aknet, por përfitimet janë të përkohshme. Mania e “pjekjes në diell” është me pasoja.

Larjet e shpeshta dhe energjike të fytyrës si dhe përdorimi i larësve që çojnë në tejtharje të sekrecioneve yndyrore shkakton pasoja të paevitueshme në lëkurë.

Të gjitha terapitë funksionojnë në mënyrë të tillë që të parandalojnë aknet e reja. Pas çdo terapie mbeten shenja, pavarësisht nga kujdesi e korrektësia e specialistit. Këto gjurmë zhduken gradualisht me rigjenerimin e lëkurës, të paktën një muaj më pas. Terapitë ose konkluzionet i vendos specialisti.

Këshilla

1. Mos ndërhyni me duar te puçrrat ose pikat e zeza, sepse janë shenja inflamacioni. Shtypja është e rrezikshme nëse ndërhyrja bëhet në mënyrë të gabuar. Kjo lloj traume nuk bën gjë tjetër veçse përkeqëson gjendjen e lëkurës.

2. Trajtoni fytyrën me produkte cilësore me përbërës organikë si: kamomil, kamfor, kalendula etj.

3. Lani duart përpara aplikimit.

4. Zgjidhni kozmetikë profesionale.

5. Evitoni Fast-Food-et dhe ushqimet e skuqura, janë armiq të betuar të lëkurës.

6. Preferoni fruta e ushqime të freskëta.

7. Merrni vitamina A, C, E.

8. Mos përdorni sapunë kundër yndyrës. Në këto raste gjëndrat reagojnë duke prodhuar yndyrë në sasi.

9. Përdorni drithëra, vaj ulliri, kos, fruta, perime, prodhime deti.

10. Pini shumë ujë (pa gaz). Është mënyra më e mirë për të hidratuar lëkurën.

11. Kujdes nga flokët e gjatë. Në kushtet e një higjiene të keqe, ato mund të jenë bartës bakteriesh dhe në kontakt me lëkurën keqësojnë gjendjen e saj duke stimuluar infeksionet.

Kujdesi

Është i rëndësishëm të personalizohet trajtimi, i cili kalon përmes disa seancave. Këto seanca përcaktohen që në takimin e parë me klienten.

Terapinë në klinikë e merr përsipër plotësisht specialisti-estet, ndërsa terapinë e pavarur në shtëpi vetë klienti. Kjo terapi është e vendosur në një sistem seti dhe quhet terapi korrektuese.

Në fillim të terapisë mund të operohet me seanca sulmi e më pas periodikisht në rend të përjavshëm. Në rastet kritike aplikohen deri në 10 seanca.

Produktet e paketës aplikohen të alternuara sipas instruksioneve dhe të gjitha penetrojnë në thellësi të lëkurës, në sajë të përbërjes së tyre organike. Ato balancojnë superprodhimin e yndyrës dhe qetësojnë aknet. Lëkura nuk ndriçon më si më parë, por efekti mat i jep shkëlqim natyral.

Pas terapisë mbeten gjurmë të lehta në lëkurë, të cilat ndihmohen nga një krem i posaçëm riparues dhe balancues njëkohësisht. Kësaj terapie nuk mund t’i nënshtrohemi në çdo stinë të vitit. Gratë shtatzëna përjashtohen nga terapia.

Gjatë terapisë nuk mund të marrim seanca solari apo të përdorim produkte të çfarëdoshme pa sugjerimin e estetistes, për shkak se lëkura është tepër e ndjeshme në këtë fazë. Edhe përdorimi i laserit gjatë terapisë është i ndaluar kategorikisht./Telegrafi/