Agron Kuçi falënderon qytetarët e Junikut: Fitorja do të jetë e juaja

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, ka falënderuar qytetarët për përkrahjen e dhënë gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se besimi i tyre ka qenë forca kryesore e këtij rrugëtimi.
“Faleminderit Junik, fitorja është e juaja!”, ka shkruar Kuçi në një mesazh drejtuar bashkëqytetarëve të tij, duke vlerësuar mbështetjen, përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre për ndryshim.
Ai ka përgëzuar diasporën junikase për rolin e saj të rëndësishëm gjatë fushatës, duke e quajtur “zërin e Junikut në botë dhe krenarinë e përbashkët të qytetit”.
Në mesazhin e tij, Kuçi ka theksuar se fushata e tij është zhvilluar me dinjitet e pa presione ekonomike, duke vënë në pah se “AAK-ja nuk ka pasuri për të blerë njerëz, por ka zemër për t’i fituar”.
Ai ka përmendur gjithashtu përpjekjet për ta frikësuar gjatë fushatës, por ka theksuar se këto nuk e kanë ndalur në rrugën drejt “të vërtetës dhe dashurisë për Junikun”.
Në fund, Kuçi u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime më 12 tetor dhe të ruajnë qetësinë gjatë procesit.
“Mos bini në grackën e provokimeve. Juniku meriton proces të ndershëm, të qetë e demokratik. Fitorja është e jona, por përgjegjësia është e secilit prej nesh”, ka përfunduar ai.

















































