Rep-artisti i njohur shqiptar, Agon Amiga, është rikthyer me një projekt të ri muzikor pas një mungese të gjatë në muzikë.

“Hala i 3nt” titullohet kënga e tij më e re, e cila vjen thuajse dy dekada pas hitit të tij të padiskutueshëm “Ai është i 3nt” kur si pjesë e grupit Tingulli 3nt e sollën këtë këngë në atë kohë në bashkëpunim me këngëtaren Fatime Kosumi (e njohur tanimë si Andrra).


Agon Amiga në një intervistë për Telegrafin, flet për rikthimin e tij në muzikë, planet për të ardhmen dhe thashethemet e shumë diskutuara për labelin 'BabaStars'.

81985695 1500153240157371 8530954811228284240 n

Telegrafi: Agon, jeni rikthyer në muzikë pas një periudhe relativisht të gjatë në sjelljen e projekteve solo. Pse kjo distancë? Agon Amiga: Po e vërtetë, pak distancë nga kënga ime e fundit, isha i fokusuar pak më shumë në familje dhe e kam parë të nevojshme një pauzë.

Telegrafi: “Hala i 3nt” titullohet kënga juaj e re. Na flisni pak më në detaje rreth saj dhe pse vendosët ta titullonit kështu? Agon Amiga: Po “Hala i 3nt” titullohet projekti im më i fundit muzikor. Ideja për realizimin e tij ka lindur spontanisht, në fillim refreni ishte pak i ngjashëm me këngën “i 3nt” por me kohë është ndërruar edhe titullin vendosa t’ia lë “Hala i 3nt” në memorie të refrenit të famshëm “Ai është i 3nt”.

Telegrafi: Kur ktheheni në kohë, kënga “Ai është i 3nt” ka qenë një hit i juaji që ju ka ngritur lart në karrierë bashkë me grupin tuaj. Çfarë mendoni sot kur shikoni atë projekt muzikor? Agon Amiga: “Ai është i 3nt”, e vërtetë që ishte super këngë për në atë kohë dhe besoj që hala dëgjohet. Nuk ishte veç këngë sezonale po një send që ka bërë revolucion në hip-hop, edhe klipi ka qenë pak më ndryshe, po ashtu edhe bashkëpunimi mes Tingulli 3nt dhe Fatime Kosumit.

Telegrafi: Çka presim nga ju në vazhdim. Do të jeni më aktiv në sjelljen e këngëve të reja tash e tutje? Agon Amiga: ‘Amiga is back’ (Amiga është kthyer). Besoj që më ka bërë mirë pauza dhe shpresoj për një rikthim të fuqishëm me plot befasi për fansat.

120215778 328047765144323 7679769816172881401 n

Telegrafi: Lidhur me labelin ‘BabaStars’ ka pasur reagime të shumta nga ish-anëtarët e labelit. A keni ju ndonjë koment lidhur me këtë? Agon Amiga: Ka pasur reagime po s’është që i kam dëgjuar shumë me thënë të drejtën. Krejt çfarë dua të them është që ‘BabaStars’ është brend dhe do të mbetet i tillë për shumë gjatë.

Telegrafi: Në disa pyetje dhe komente që kanë qarkulluar rreth këngës suaj të re, shumë prej tyre e kanë parë si 'diss' ndaj 'BabaStars'. Sa ka të vërtetë këtu? Agon Amiga: Jo, këtu nuk ka asgjë të vërtetë. "Hala i 3nt" nuk është 'diss' ndaj askujt. Është kënga ime e re, e përgatitur enkas për fansat pas rikthimit, për të treguar që jam 'hala këtu' dhe 'hala i 3nt'.

342384499 555782620041701 4662061883535151023 n

Telegrafi: Ju jeni një nga reperët më të kahmotshëm në estradë. Si po e shihni tash skenën e muzikës hip-hop? Agon Amiga: Estrada duket se po ecë mirë, po sjellin hip-hop dhe po ecin me kohën shumica e artistëve. Ka edhe artistë të rinj të cilët edhe i kam mbështetur shumicën e kohës dhe gjithsecilit i uroj suksese në karrierë.

Telegrafi: Përveç muzikës, me çfarë tjetër është i angazhuar Agoni, cila është përditshmëria juaj? Agon Amiga: Për momentin jam i fokusuar vetëm në muzikë me disa projekte te reja. Disa këngë janë të finalizuara, e disa të tjera jam duke i punuar. Besoi shumë shpejt do të ketë lajme te reja nga Amiga.

242706711 515531313562905 2783454098251726226 n

Telegrafi: Thënia juaj e jetës? Agon Amiga: Nuk është se kam ndonjë të caktuar, por mund të cek një që më pëlqen shumë, e thënë nga Dalai Lama – “Nëse mendoni se jeni shumë i vogël për të bërë ndryshim, provoni të flini me një mushkonjë”.

Telegrafi: Agon, faleminderit shumë për intervistën. Për fund, cili do të ishte mesazhi yt për lexuesit e Telegrafit? Agon Amiga: Mesazhi im për lexuesit është që të vazhdoni hala ta lexoni Telegrafit, sepse jeni më të mirët! /Telegrafi/