Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) shënoi Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit me konferencën “Mbrojtja e gazetarëve dhe avancimi i barazisë gjinore në media”, të organizuar në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe me mbështetjen e Këshillit të Europës dhe CDF-së.

Në hapje të konferencës, Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, shprehu shqetësimin për rënien e Kosovës në vendin e 99-të në Indeksin e Lirisë së Medias nga organizata Reporterët pa Kufij (RSF). Sipas tij, kjo rënie është pasojë e “politikave qeveritare dhe miratimit të Ligjit për KPM-në, tashmë i shpallur anti-kushtetues”.


Pascale Roussy nga OSBE dhe Mary Ann Hennessy, Shefja e Këshillit të Europës në Kosovë, theksuan rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve dhe barazisë gjinore në redaksi.

Paneli i parë i konferencës, i moderuar nga gazetarja Qëndresa Tershani, u përqendrua në sfidat me të cilat përballen gratë gazetare. Gazetarja Ardiana Thaçi tha: “Terreni është i minuar nga burrat që s’të lënë të ecësh përpara.” Ndërsa Agnesa Qorri shtoi: “Na thuhet që ekonomia është temë për burra – pasiguria është e përditshme.”

Maria Cheresheva theksoi se “gazetaria është ‘feminizuar’, por jo feministe”, ndërsa Maša Mileusnić nënvizoi se “redaksitë janë me shumicë gra, por drejtuesit janë burra.”

Paneli i dytë, i moderuar nga Xhemajl Rexha, diskutoi për kërcënimet ndaj gazetarëve dhe përgjigjen institucionale ndaj tyre. Prokurori Agron Bajrami siguroi se “asnjë rast nuk mbetet pa trajtuar – përgjegjësit kërkohen.” Gjyqtari Leotrim Gashi theksoi se “rastet e gazetarëve janë prioritet në sistemin gjyqësor.”

Gazetarja Dorentina Thaqi ndau përvojën e saj pas një sulmi: “Një nga përvojat më të këqija – rikthimi në vendin e sulmit ishte i vështirë.”

Burim Zariqi dhe Yll Zekaj folën për sfidat ligjore dhe nevojën për përkrahje institucionale për gazetarët.

AGK ka ritheksuar përkushtimin e saj për mbrojtjen e gazetarëve dhe krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të barabartë për të gjithë profesionistët e medias në Kosovë./Telegrafi/