AGK i del në mbrojtje Adriatik Kelmendit: Jemi të shqetësuar me vazhdimin e retorikës nxitëse kundër gazetarëve nga ana e LVV

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, të cilat i ka cilësuar si sulme personale dhe familjare ndaj gazetarit dhe autorit të emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi.
Përmes një deklarate, AGK-ja shpreh shqetësimin e thellë për retorikën nxitëse dhe të papranueshme të përfaqësuesve të Vetëvendosjes kundër gazetarëve, veçanërisht pas publikimit të raportit të Reporterëve pa Kufij, ku Kosova është renditur në vendin e 99-të sa i përket lirisë së medias.
“AGK-ja dënon fuqishëm sulmin personal dhe familjar, që zyrtarja e kësaj partie politike, Dejona Mihali ka bërë kundër gazetarit, dhe autorit të emisionit ‘Rubikon’, Adriatik Kelmendi”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Sipas organizatës, reagimet e Vetëvendosjes dhe zyrtarëve të saj kanë nxitur qindra komente me fjalor kërcënues ndaj gazetarëve, mediave dhe vetë AGK-së në tri ditët e fundit, çka përbën një përshkallëzim të retorikës kundër lirisë së shprehjes në vend.
AGK-ja i ka bërë thirrje edhe një herë Vetëvendosjes që të ndryshojë qasjen e saj ndaj mediave dhe të ndalë sulmet ndaj gazetarëve, të cilat përbëjnë një kërcënim serioz për lirinë e shprehjes dhe funksionimin demokratik të shoqërisë.




















































