Agjenti i Keita Balde Diao, Roberto Calenda, beson se klienti i tij do të blihet përfundimisht nga Interi në fund të sezonit, atëherë kur edhe përfundon huazimi nga Monaco.
Sipas tij te zikaltirt nuk do të ketë një situatë si ajo e Joao Cancelos, ku klubi nga Milano nuk e bleu dhe tani lojtari po shkëlqen te Juventusi.
“Ky nuk do të jetë një tjetër Cancelo”, ka siguruar Roberto Calenda për Gazzetta dello Sport.
“Interi do ta gjeje një mënyrë për të nënshkruar me atë. Por, ka kohë deri në maj”.
“Shifra është 34 milionë euro, por ky është çmimi që duhet të paguash për lojtarë të tillë. Nëse ai bën atë që duhet bërë, nuk ka dyshime se do të qëndrojë në Milano”, ka shtuar Calenda.
Keita deri më tani është paraqitur në 17 ndeshje në Serie A, ku 10 prej tyre erdhën nga banka rezervë.
Në 695 minuta lojë ai ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar dy asistime. /Telegrafi/