Ademi reagon pas banerave nga tifozët e Sparta Pragës, paralajmëron ankesë në UEFA
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar pas skandalit në Çeki, më saktësisht në ndeshjen e gjigantit çek Sparta Pragë.
Tifozët e Sparta Pragës kanë bërë një skandal të madh, ku duke treguar mbështetjen e tyre për futbollistin serb, Velko Birmancevic, vendosën disa banera me një mbishkrim anti – Kosovë.
Përkundër se te Sparta Pragë luajnë dy reprezentuesit e Kosovës, Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi si dhe dy të Shqipërisë, Indrit Tuci e Qazim Laçi.
Ademi ka thënë se do t'i adresohet UEFA-s për të bërë ankesë.
Postimi i plotë nga Agim Ademi: Si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, shpreh shqetësimin e thellë për incidentin e fundit në kampionatin çek, i cili prek dhe sfidon identitetin tonë shtetëror dhe është fyes ndaj futbollistëve tanë. Ky veprim është i papranueshëm dhe nuk përkon me frymën e respektit dhe miqësisë që futbolli duhet të promovojë. Ne besojmë dhe e promovojmë futbollin si një platformë për bashkëjetesë dhe mirëkuptim mes popujve. Prandaj, kërkojmë që çdo provokim i tillë të shmanget në frymën e këtyre vlerave, në mënyrë që futbolli të mbetet shembull i unitetit dhe respektit, pavarësisht dallimeve.






























