Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, vendi sot ka Kuvend funksional dhe është rikthyer në afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re.

Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës, pas analizës juridike shteruese, ka vlerësuar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka hapur rrugë për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe për konstituimin e Kuvendit.


“LDK-ja vlerëson se mbajtja e vendit të bllokuar për më shumë se pesë muaj, për një pozitë tërësisht formale dhe të parëndësishme, ka qenë akt i papërgjegjshëm, që ka dëmtuar interesin e Republikës.

E vetëdijshme se debati i paqenë mbi Listën Serbe dhe veton e saj në procesin e konstituimit të kuvendit, ishte kthyer në temë elektorale, LDK-ja vendosi ta largojë këtë çështje nga agjenda politike dhe institucionale, duke i hapur rrugë procesit kushtetues dhe institucional të vendit”, tha ai.

Sipas tij, me këtë veprim, u zhbllokua procesi për themelimin e institucioneve të reja, si dhe u parandaluan shkeljet e reja kushtetuese të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, përfshirë uzurpimin e institucioneve nga një qeveri pa legjitimitet dhe pa autorizime ligjore e kushtetuese.

“LDK, edhe një herë, siç i takon e siç beson, shfaqet si parti përgjegjëse drejt institucioneve dhe vet Republikës. Rruga për formimin e Qeverisë është tashmë e hapur. Për 177 ditë me radhë, ata kanë thënë se i kanë votat. Tani le ta dëshmojnë këtë fakt para qytetarëve të Kosovës”, tha kryetari i LDK-së. /Telegrafi/