Abdixhiku fajëson qeverinë për krizat në takim me zyrtarët francez: E kanë nisur vetë, le ta përballojnë vetë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është takuar sot me të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccas dhe ambasadorin e Francës, Olivier Guerot.
Abdixhiku në një postim në Facebook ka shkruar se me zyrtarët francez kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.
I pari i LDK-së thotë se i ka shprehur qëndrimet e partisë së tij që nuk mbështesin praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues.
“Gjatë bisedës sonë diskutuam mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe situatën aktuale, veçanërisht sfidat me të cilat po përballet Kosova - nga bllokada institucionale deri te pasojat e qeverisjes populiste - si dhe qëndrimet e LDK-së karshi kësaj gjendjeje. Theksova qartë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mbështet praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues dhe normalitetin institucional të vendit”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka theksuar se ata që e kanë nisur këtë rrugëtim, duhet të marrin përgjegjësinë për krizat që i shkaktojnë me vetëdije. /Telegrafi/



































