Banorët e fshatrave Prelez, Varosh dhe Zona 3 në qytetin e Ferizajt kanë përfituar tre për qind të buxhetit të komunës për investime kapitale. Kjo, po praktikohet tash e dy vjet në komunën e Ferizajt ku fshatrat që përzgjedhjen të jenë pjesë e "Buxhetimit me pjesëmarrje të qytetarëve" do të përfitojnë projekte kapitale.

Sipas zyrtarëve komunal në Ferizaj, secili lokalitet përfiton nga një përlind të shumës totale të buxhetit komunal për investime kapitale, ndërkohë projektet votohen nga banorët në mënyrë zyrtare.


Së fundi këto mbledhje kanë filluar në fshatin Varosh, ndërkohë propozimet e banorëve do të votohen në nga banorët në një mbledhje të radhës.

Meriton Hajdini, drejtor për Infrastrukturë në Komunën e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se “buxhetimi me pjesëmarrje” po vazhdon edhe këtë sivjet ashtu siç ka ndodhur në vitin e kaluar.

Sipas tij, tri fshatra do të përfitojnë tre për qind të buxhetit total për investime kapitale, apo secili prej tyre nga një për qind.

“Sivjet do të përfitojnë fshati Prelez,Varosh dhe zona 3 e qytetit. Nëse buxheti i komunës për projekte kapitale është rreth 12 milion euro, këto lokalitete përfitojnë një përlind të tyre për shkak të 'Buxhetimit me pjesëmarrje'. Ne ftojmë qytetarët që të marrin pjesë nëpër tubime publike dhe të japin kontributin e tyre për nevojat dhe kërkesat e tyre të përgjithshme”, ka thënë Hajdini.

Ndërkohë, së fundi tubimi me qytetarë është mbajtur në fshatin Varosh ku qytetarët kanë kërkuar investime në fushën e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës e të tjera.

“E vlerësojmë tejet të rëndësishëm dhe të domosdoshëm procesin e buxhetimit me pjesëmarrje sepse përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje ngritë nivelin e transparencën dhe garanton që investimet të reflektojnë në nevojat reale të komunitetit. Kur qytetarët janë pjesë e planifikimit, projekti merr kuptim dhe jetë”, ka thënë Hajdini.

Sipas Hajdinit, kjo iniciativë fuqizon qytetarët që të bëhen pjesë aktive në vendimmarrje për investime kapitale. /Telegrafi/