LAJMI I FUNDIT:

“27 prilli”, sot dëshmuan Zekirija Ibrahimi dhe Vllatko Gjorçev

“27 prilli”, sot dëshmuan Zekirija Ibrahimi dhe Vllatko Gjorçev

Sot në Gjykatën Penale vazhdoi gjykimi i organizatorëve të 27 prillit të dhunshëm në Kuvend. Rasti është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve të propozuar nga i pandehuri Trajko Veljanoski, ish-kryetar i Kuvendit.

Midis dëshmitarëve ishte bashkëpartiaku i tij, Vllatko Gjorçev, i cili tha se tre vjet më parë, me ndërhyrjen e dhunshme, më së shumti humbi OBRM-PDUKM.

Në sallën e gjyqit dëshmoi edhe ish-deputeti Zekirija Ibrahimi, i cili këndoi himnin shqiptar nga foltorja parlamentare.


“Nëse e keni lexuar aktakuzën, askund nuk thotë se himni shqiptar që unë këndova ishte arsyeja për ngjarjet e 27 Prillit. Himni shqiptar u këndua në një kontekst tjetër përpara përfundimit të seancës plenare. Himni u këndua në kontekstin e një proteste kundër kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, i cili i lejoi një deputeti të OBRM-PDUKM-së ta këndonte himnin maqedonas”, tha Zekirija Ibraimi, dëshmitar.

Në këtë rast, përveç Veljanoskit, akuzohen edhe ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, si dhe ish-shefi i DSK-së, Vlladimir Atanasovski./Alsat/