Telegrafi

25 vjetori i themelimit, Kurti: Zemra mal kur shoh që fëmijët e duan Policinë e Kosovës

Në prag të 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës janë mbajtur një sërë aktivitetesh në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke përfshirë demonstrimin e disa njësive speciale të PK-së, prezantimi i Njësisë së Dronëve dhe Anti dronëve, Njësisë me qentë, Njësisë për trajtimin e mjeteve eksploduese (NJTME) e të tjera.

Përveç këtyre, pati aktivitete edhe për fëmijë, si ndeshje basketbolli, recital nga fëmijët, realizim i vizatimeve për Policinë, muzikë dhe vallëzim modern nga Policia dhe fëmijët.

Në këtë organizim mori pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, derisa u shpreh i lumtur për dashurinë që fëmijët kanë për Policinë e Kosovës, potencoi se do të kujdesen që të gjithë ata që kanë vullnet të bëhen pjesë e PK-së.

“Tash ka filluar viti i ri shkollor dhe më bëhet zemra mal kur shohë që fëmijët edhe nxënësit e duan policinë e Kosovës, e cila na e mbron Republikën, e zbaton ligjin dhe iu shërben të gjithë qytetarëve pa dallim…Ne do të kujdesemi që të gjithë ata që e kanë vullnetin dhe përgatitjen të bëhen policë në mënyrë që të na garantojnë sigurinë dhe sundimin e ligjit. Ju duhet të mësoni sa më shumë e sa më mirë, sepse ju jeni edhe tashmja edhe e ardhmja e vendit tonë”, tha Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla shprehu kënaqësinë për vendosmërinë, ngazëllimi dhe vullnetin e fëmijëve që në të ardhmen t’i shërbejnë vendit duke u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

“Me të vërtetë është kënaqësi me qenë në mesin e këtyre fëmijëve. Ju thatë e tashmja, por edhe e ardhmja e shumë më e mirë se tash. Duke parë këtë vendosmëri, ngazëllim, këtë dashuri të policisë për fëmijët, dhe këtë dashuri të fëmijëve për policinë, unë të gjithëve iu dëshiroj suksese në jetë shfrytëzoj rastin t’i uroj 25 vjetorin e policisë së Kosovës, të kenë sa më shumë suksese dhe sa më pak punë”, potencoi Sveçla.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se janë zhvilluar kapacitetet e policisë, kështu duke arritur të fitojnë besimin e qytetarëve me forcën policore.

Ai potencoi se siguria e qytetarëve të Kosovës është e garantuar ngase sipas tij gjeneratat e ardhshme po shprehin vullnet dhe pasion për t’iu bashkangjitur policisë së Kosovës.

“Jemi të gëzuar edhe të kënaqur që po festojmë këtë përvjetor. Jemi rritur si polici, kemi zhvilluar kapacitetet, por mbi të gjitha mendoj që kemi rritur të fitojmë dhe të mirëmbajmë besimin e qytetarëve tonë me forcën tonë policore. Kjo është gjëja më e madhe, sepse ne jemi policia e këtij populli…dhe vendit tonë, duke mbrojtur kufijtë tanë, duke mbrojtur për ditë sigurinë e fëmijëve tanë, qytetarëve tanë, punëtorëve tanë, arsimtarëve tanë…Siguria e qytetarëve tanë është e garantuar sepse kemi breza të ardhshëm që kanë vullnet, dëshirë dhe pasion për t’iu bashkangjitur policisë t’i shërbejnë vendit të tyre dhe qytetarëve”, tha Hoxha.

Togeri Shukri Islami prezantoi disa prej pajisjeve të ekspozuara të cilat përdoren nga njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive. Bllokuesi i frekuencave, robot kostumi dhe anti droni janë disa nga pajisjet për të cilat Islami tregoi funksionin e tyre.

“Sot i kemi ekspozuar disa prej pajisjeve të cilat i përdor njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive. Pajisja e parë është një bllokues i frekuencave, i cili përdoret në raste kur dyshojmë që mjete eksplozive të cilat janë me teledirigjim. Kemi robot kostumin mbrojtës antibombë, të cilin operatori e vesh në rastet kur shkon tek ndonjë mjet që dyshohet që është mjet shpërthyes si dhe e kemi edhe pajisjen antidron e cila përdoret në rastet kur kemi ndonjë dron duke fluturuar që është i dyshimtë…Është edhe roboti që komandohet përmes komandës prej distancës. Përdoret në raste kur dyshojmë që është mjeti shpërthyes dhe për të mos rrezikuar operatorin, në disa raste e dërgojmë robotin”, tregoi Islami.

Këto aktivitete kanë filluar para disa ditësh dhe do të vazhdojnë deri në do të vazhdojnë deri në ceremoninë qendrore e cila mbahet me 6 shtator, ku pritet të marrin pjesë personalitetet të larta shtetërore, menaxhmenti i lartë i PK-së, si dhe personalitete nga Kosova, rajoni dhe me gjerë. /kp/