23 Marsi 1989 - Dita kur edhe ajri ishte i ngrirë

Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, del sërish në pah nacionalizmi serb për të dominuar në ish-Jugosllavi. Dominimi i tyre ringjallet pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, të shtypura me dhunë nën sloganin e mbrojtjes së Jugosllavisë nga i ashtuquajturi kundërrevolucion i shqiptarëve, dhe pastaj me diferencimet ideo-politike që anatemojnë intelektualët dhe politikanët e Kosovës.
LEXO PO ASHTU: Shqiptarët nëpër dekada
Në këto vite fillojnë edhe reagimet e orkestruara nga Beogradi, fillimisht të serbëve të Fushë Kosovës. Fjala është për “Mitingjet e së vërtetës”, që u përhapën në Mal të Zi, në Serbi, në Vojvodinë, me synim madje edhe Slloveninë. Qëllimi i serbëve ishte rrëzimi i pushteteve në të gjitha njësitë federative të ish-Jugosllavisë, pjesë e barabartë e së cilës ishte Kosova.
Kushtetuta e vitit 1974 që kishte avancuar të drejtat e shqiptarëve, ishte kafshatë që nuk përpihej. Serbët e Kosovës, shumica kolonë të ardhur pas pushtimit të Kosovës më 1912, ishin populli më i privilegjuar në rajon. Ndaj, shqiptari i barabartë me ta paraqiste një drejtësi që ata donin ta rrënonin për ta ruajtur supremacinë e tyre. Prandaj, duke e luajtur rolin e viktimës, me inskenimet e turpshme të kinse përdhunimeve, dhunës fizike etj. nisën demonstratat gjoja për të drejtat e tyre, por që gjithçka ishte e orkestruar për të rrënuar Kushtetutën e vitit 1974.
LEXO PO ASHTU: Kujtesë: 25 vite nga suprimimi i dhunshëm i autonomisë së Kosovës (Foto/Video)
Tendencat e politikës serbe vërehen më 1987, në Fushë Kosovë, kur Sllobodan Millosheviqi, në prani të Azem Vllasit e thotë fjalinë e tij famoze në mbrojtje të serbëve “të shkelur”: “Askush më nuk do t’ju ngucë”!
Serbët, që nga viti 1981, kishin bërë gati kuadrot e tyre në Kosovë. Fatkeqësisht, në pushtet ishin edhe shumë shqiptarë që mbështesnin politikat antishqiptare. Kështu, 23 marsi i vitit 1989, ishte dita kur testohej edhe guximi shqiptar në ditë të vështira. Më 23 mars, në sallë të Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës, trysnia e Beogradit fillon me gjoja mysafirët e ftuar në seancë. Qëllimi ishte sigurimi i domosdoshëm i votave, me çdo mjet. Gjysma e tyre (“mysafirëve”) pozicionohen në rendet e para të ulëseve të Kuvendet, e pas tyre ishin përcaktuar vendet e delegatëve realë.
Sipas dëshmive, qoftë nga dëshmitarët e edhe nga stenogramet e asaj kohe, ndaj këtij komploti reagon Riza Lluka, delegat nga Peja. Nga foltorja e Kuvendit, Lluka kërkon që të ndalohet votimi i “mysafirëve” e që të merret parasysh vetëm vullneti i delegatëve. Kështu, kufizohet vota e tyre. Por, fatkeqësisht, kjo nuk u arrit në tërësi.
LEXO PO ASHTU: Njeriut të çeliktë
Suprimimi i autonomisë së Kosovës ishte vendim që siguronte dominimin serb në federatën e atëhershme jugosllave, sidomos kur dihet se Serbia kishte realizuar dominimin në Vojvodinë dhe Malin e zi. Shumë shqiptarë votuan për. Por, brenda ishin edhe disa deputetë që nuk u frikësuan dhe i ngritën gishtat kundër politikës së Millosheviqit.
Nga 190 delegatë të tri dhomave sa kishte atëherë Kosova, Riza Lluka, Melihate Tërmkolli, Shkëlzen Gusinja, Ukë Bytyqi, Sadik Zuka, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Mehdi Uka dhe Avdi Berisha votojnë kundër. Dy delegatë thuhet se abstenojnë, ndërsa 25-30 mungojnë në seancë.
LEXO PO ASHTU: Kronologji e historisë shqiptare 1912-2012
Në xhirimet të cilat janë publikuar nga mediat ndërkombëtare, ku dominon imazhi i delegatit Lluka duke ngritur gishtat kundër ndryshimeve, simbolizohet rezistenca dhe përfaqësimi i vullnetit të shqiptarëve shumicë të Kosovës. Qëndrime të tilla publike ka dhënë edhe delegatja Melihate Tërmkolli.
Ndonëse shumica e deputetëve nënshtrohen ndaj politikës serbe, kundërshtimi i këtij numri të vogël të deputetëve megjithatë mbajti gjallë shpresat e shqiptarëve, sepse ata përfaqësonin vullnetin e shumicës së popullit, gjë që dëshmohet me rrjedhat e mëvonshme historike. Ndaj, ky guxim nuk duhet të harrohet, sepse siç ka thënë humanisti dhe atdhetari Riza Lluka (tashmë i ndjerë): atë ditë edhe ajri ishte i ngrirë. E, këtë e dinë të gjithë ata që kanë mbamendje për 23 marsin 1989. /Telegrafi/






















































