Në Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik të Gjakovës sot janë nënshkruar kontratat me përfituesit e grantit për biznes.
Në këtë grant nga buxheti i paraparë prej 130 mijë eurosh, përfituan gjithsej 22 biznese, prej tyre 13 biznese ekzistuese dhe 9 start-up biznese. Në mesin e përfituesve 10 janë femra në biznes dhe një përfitues nga komunitetet pakicë.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, u shpreh shumë i kënaqur me ritmin me të cilin po zhvillohen bizneset në Komunën e Gjakovës.
“Të gjitha llojet e bizneseve në Komunën e Gjakovës po ecin me një ritëm pakrahasimisht të shpejt, gjë që përveç se më bën të lumtur dhe krenar, rezulton në rritjen e profiteve për tërë komunitetin”, tha Gjini, shkruan Telegrafi.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, Ferdinand Kolaj, tha se procesi i ndarjes së granteve ishte i suksesshëm.
“Procesi i ndarjes së granteve ka shkuar në mënyrë të mirëfilltë dhe ka rezultuar i suksesshëm sidomos në aspektin e pjesëmarrjes së grave e po ashtu nga radhët e komuniteteve”, u shpreh Kolaj./Telegrafi/