Transporti hekurudhor në Shqipëri ka marrë gjatë vitit të shkuar të paktën 21 milionë euro të cilët kanë shkuar për ndërhyrje në rrjetin dhe veprat ekzistuese, studime e konsulenca por pjesa e luanit i ka takuar projektit të rehabilitimit Tiranë-Durrës dhe zgjatimit të Rinasit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë raportoi se pjesa më e madhe e shpenzimeve që kanë shkuar për programimin e transportit hekurudhor janë me financim të huaj duke u dominuar në mbi 63 për qind nga ndërtimi i linjës së re që po mbështetet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Konkretisht me financim të brendshëm janë të paktën pesë projekte ku janë kryer shpenzime, raporton revista Monitor.
Së pari për produktin “Sistem Hekurudhor i Reformuar”, ku përfshihet subvencioni për mbështetjen e hekurudhës, janë planifikuar 501 milion lekë dhe janë realizuar 501 milion lekë.
Po kështu për produktin “Inspektime Hekurudhore të kryera” janë planifikuar 15,2 milionë lekë dhe janë realizuar 14.2 milionë lekë. Për produktin “Përmirësimi i infrastrukturës hekurudhore” janë realizuar 49 milionë lekë për dy projektet: 1. Rikonstruksion i linjës hekurudhore Milot – Lezhë, realizuar në 3,545 mijë lekë ose 100%. 2. Riparim vepra arti, realizuar në 45,684 mijë lekë ose 99.5%
Të tjera shpenzime janë dedikuar për produktin “Rritja e disponbilitetit të mjeteve lëvizëse” ku për paisje informatike për Hekurudha dhe rikonstruksion i reparteve dhe linjave hekurudhor.
Me financim të huaj janë të paktën 14 milionë euro të cilat kanë shkuar për projekte të të ndryshme por katër më kryesorët janë të lidhura me Tiranë-Durrës. Të tilla janë: supervizioni i punimeve “Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Tiranë dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore për në aeroportin e Rinasit; hartimin e projektit të detajuar të linjës hekurudhore terminali i transportit publik – stacioni i trenit Tiranë (4km) si zgjatim i linjës hekurudhore Durrës – Tiranë; rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës; termali i pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Rinas; rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Termali i pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Rinas 2.
Në sy bien edhe projekte të tilla si hartimi i Projektit preliminar Rrogozhinë-Pogradec-Lin (Kufi me Maqedoninë e Veriut), studim i Fisibilitetit dhe Projekt-ide për lidhjen hekurudhore Durrës – Prishtinë apo plani i Menaxhimit të Aseteve dhe Metodologjia e Tarifimit në Hekurudhat Shqiptare./Telegrafi/