Më 11 shtator 2001, bota pa me tmerr se si dy avionë, njëri në orën 8:46 të mëngjesit dhe tjetri në orën 9:03 goditën Kullat Binjake në Nju Jork, në sulmet terroriste që shkaktuan vdekjen e mbi 2, 600 vetëve. Rreth 3 mijë vetë humbën jetën gjithsej, me gjithë sulmin në Pentagon dhe rënien e avionit të rrëmbyer në Pensilvani. 20 vjet më pas të afërmit e dy prej shqiptaro-amerikanëve që humbën jetën duke punuar tek Kullat, ndajnë me Zërin e Amerikës dhimbjet dhe kujtimet e asaj dite.
60-vjeçari Rrok Camaj vdiq në kullën jugore, ku kishte shkuar si çdo ditë në punë në “majë të botës” siç thoshte ai. Në një ditë me diell pothuajse 20 vjet më pas, djali i tij Vincent Camaj dhe gruaja Katrina Camaj, kujtojnë njeriun e tyre të shtrenjtë, në memorialin e 11 shtatorit në Nju Jork, ku emri i tij është vetëm njëri prej atyre që nuk u kthyen tek familjet e tyre atë ditë. Vincenti thotë se nuk i besohet që kanë kaluar 20 vjet.
“Duket sikur ishte dje. Është shumë e kthjellët në mendjet tona. Jam i sigurt se cilido që ka humbur dikë më 11 shtator, e ka të freskët në kujtesë se ku ishte dhe çfarë po bënte atë ditë”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Në orën 9:15, Rroku i telefonoi Katrinës nga kati i 105-të i Kullës ku ishte bllokuar me 200 vetë të tjerë.
“Më thirri ai vetë nga kati i 105-të. I thashë ku je? Në 105. Jo nuk mundet”.
“Të lutem tha, mos u bëj shumë me mërzi, mos i mërzit fëmijët, se kur të shohin ty, nuk e kalojnë dot. Por çfarëdo që të bëhet tha, jemi në dorë të Zotit, edhe na u këput linja, na u këput telefoni.”
“Babai im u nis për në punë herët në mëngjes dhe nuk u kthye më kurrë. Ai u mor nga ne në mënyrë tragjike. Jetët tona ndryshuan përgjithmonë”, thotë Vincenti.
Edhe jeta e Vitore dhe Marash Dedvukajt ndryshoi përgjithmonë kur humbën djalin e tyre Simonin, 26 vjeç, i cili punonte si mbikqyrës mirëmbajtjeje. Ai ishte në kullën veriore.
“Pas kaq vitesh, e njëjtja dhimbje është. Nuk kalon kurrë ajo dhimbje. Veç na dhimbset për ditë e më shumë, për ditë e më shumë e kujtojmë”, thotë nëna e Simonit.
Ajo dhe Marashi përshkruajnë ankthin dhe dhimbjen e asaj dite.
“U nisëm me ardhë, për të hyrë në Manhattan dhe na kanë ndaluar, as patëm mundësi të hyjmë në gjysmën e Manhattanit dhe këtej, se e kishim edhe djalin tjetër këtu, se kanë punuar afër me njëri-tjetrin. Edhe thirr njërin e thirr tjetrin në telefon, por as nuk binin telefonat nuk i merrte kush se nuk kishte kush me i marrë se të gjithë përpiqeshin të iknin se mendonin mos ndizej gjithë Nju Jorku”, thotë Marashi, babai i Simonit.
Dhimbja e pashlyeshme merr forma të ndryshme ndër vite.
“Për dhjetë vjet nuk kam hyrë në odën e tij, sepse nuk mund t’i shihja rrobat e tij e odën e tij, se më dukej gazep i madh. Atëherë kur hyna, u çmallova mirë një herë. Edhe sot i kam rrobat e tij. Nuk kam mundur t’i hedh. Se kur mendoj për të, unë mendoj çdo ditë, por kur dua të çmallem, shkoj, i marr dhe i shoh të gjitha si i ka pasur”.
Trishtimi shtohet, sepse trupat nuk janë gjetur. Marashi thotë se kishte ardhur me ditë të tëra tek vendi i tragjedisë mos gjente diçka por më kot.
“Për çdo ditë e natë jam ulur këtu, vetëm duke parë mos po gjejmë diçka, po ku të gjenim, ai është djegur”, thotë Marashi.
“E dhimbshme boll… Shumë, shumë vështirë e kemi kaluar deri tani, tani e prapa nuk e di… As kaq nuk e kemi nxjerrë…”
“As nuk arritëm ta varrosnim siç duhej. Ai është këtu diku pas nesh. Hiri i tij është përhapur në këtë vend. E gjithë bota vajtoi me ne në 11 shtator dhe çdo vit më pas, por gjëja më e vështirë deri sot është që nuk kemi arritur t’i themi lamtumirë”, thotë Vincenti.
“E njëjta gjë. Sot kur vdes dikush I them ‘ti ke diku me I çu një tufë lule, veç shkojmë aty e nuk shohim asgjë veç një emër.”
Në memorialin dhe muzeun e 11 shtatorit, aty ku dikur ishin Kullat, njerëzit vijnë të reflektojnë apo të mësojnë. Një brez i tërë ka lindur dhe është rritur që nga ajo ditë, mes tyre edhe Camille Kelly 17 vjeç, nxënëse e shkollës së mesme në Nju Jork. Ajo e vizitoi muzeun për herë të parë para tre vjetësh dhe kur mësoi gjithë historinë e asaj dite i lindi dëshira të bëhej vullnetare dhe t’u tregonte të tjerëve historinë e ditës që ndryshoi botën.
“U përgjigjem pyetjeve të njerëzve ose shkoj unë tek ata, u them informacionin që di. Disa prej tyre ndajnë histori me mua. Kam mësuar shumë dhe ka gjithmonë më shumë për të mësuar, por është një institucion i mrekullueshëm”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.
Familjet që humbën të dashurit e tyre më 11 shtator 2001, janë të lidhura përgjithmonë nga tragjedia e asaj dite. Familjet Camaj dhe Dedvukaj janë të lidhura edhe nga fakti se janë dy nga vetëm tre familjet shqiptare që humbën të dashurit e tyre. E treta ishte ajo e 66 vjeçarit Mon Gjonbalaj, i cili sipas gazetës New York Times kur goditën avionët kishte telefonuar shtëpinë dhe kishte thënë: “Jam bllokuar. Nuk besoj se do t’ju shoh dot më. Mbajeni familjen të bashkuar”.
Pas 20 vjetësh, ajo që u sjell lehtësim këtyre familjeve janë emri i mirë dhe gjurmët që lanë ata që ikën atë ditë.
“Ka qenë i dashur, ka qenë i mirë. Jo se është djali ynë, po në të gjithë familjen, tek të gjithë, ka lënë dashuri e lezet. Gjithkujt kishte qejf me i ndihmu diçka”, thotë Vitoria.
“Ai na la fizikisht, por jo mendërisht. Ai është me ne çdo ditë, në çdo hap”, thotë Katrina.
Vincenti thotë se trashëgimia më e madhe që ka lënë pas Roko, është familja, fëmijët, nipërit dhe mbesat që e duan po aq, në mos më shumë se sa kur u largua nga kjo botë.
“Babai im ishte shtylla e familjes. Ai na mbante të bashkuar. Kur e humbëm ishte si të humbnim një pjesë tonën, por ai do të jetojë përmes nesh, gjithmonë në zemrat tona dhe është gjithmonë me ne”.
Sulmet e 11 shtatorit para 20 vjetësh, e ndryshuan përgjithmonë Amerikën dhe gjithë botën. Që nga ajo kohë ka pasur luftëra, zhvillime dramatike politike dhe sociale dhe së fundmi një pandemic që po sfidon gjithë njerëzimin. Por për ata që humbën të dashurit e tyre atë ditë, çdo 11 shtator është një kujtesë e tragjedisë së jetëve dhe ëndrrave të këputura në mes, por edhe një shans për të reflektuar për trashëgiminë që ata lanë pas./VOA
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëProfili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A