17-vjetori i Shqipërisë në NATO

Shqipëria shënon sot 17-vjetorin e anëtarësimit në NATO, një moment historik që konsiderohet si një nga arritjet më të rëndësishme në rrugëtimin euro-atlantik të vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social X, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vlerësoi këtë përvjetor si një hap vendimtar që forcoi themelet e sigurisë kombëtare dhe orientimin strategjik të Shqipërisë.
Hoxha theksoi se që prej anëtarësimit, Shqipëria ka dëshmuar se është një aleate e përkushtuar dhe e besueshme, duke marrë pjesë aktive në misionet dhe operacionet e NATO-s, si dhe duke kontribuar në promovimin e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, vendi është sot i harmonizuar plotësisht me prioritetet e Aleancës, duke përfshirë rritjen e investimeve në mbrojtje, ndarjen e përgjegjësive dhe përqafimin e inovacionit dhe teknologjive të reja në një mjedis sigurie gjithnjë në ndryshim.
Ministri nënvizoi gjithashtu se Shqipëria po përgatitet të presë për herë të parë një samit të NATO-s në rajon, duke e cilësuar këtë si një tregues të besimit që Aleanca ka ndaj rolit dhe kontributit të vendit.
Në përfundim, Hoxha theksoi se në një botë gjithnjë e më të pasigurt, Shqipëria mbetet e vendosur përkrah aleatëve, e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive dhe mbrojtjes së paqes, lirisë dhe vlerave të përbashkëta.
Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota e NATO më 1 prill 2009, së bashku me Kroacinë, gjatë një ceremonie zyrtare në Uashington. Procesi i anëtarësimit kishte nisur vite më herët, me përfshirjen në programin “Partneriteti për Paqe” në vitin 1994 dhe përshpejtimin e reformave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilat kulmuan me ftesën zyrtare për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008. Ky anëtarësim shënoi një kthesë të rëndësishme strategjike për vendin, duke e vendosur Shqipërinë në arkitekturën euro-atlantike të sigurisë. /Euronews.al/




















































