Zyrtare: Gabriele Gravina jep dorëheqje nga posti i presidentit të Federatës së Italisë

Gabriele Gravina ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga posti i presidentit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), pas dështimit të ‘Azurrëve’ për t’u kualifikuar në Kupën e Botës për të tretin cikël radhazi.
Gravina paraqiti dorëheqjen e tij gjatë një mbledhjeje emergjente të këshillit të përgjithshëm të FIGC-së, pas humbjes së Italisë në finalen e playoff-it të Botërorit ndaj Bosnje dhe Hercegovinës, të martën në mbrëmje.
Zgjedhjet për emërimin e pasuesit të tij do të mbahen më 22 qershor.
Në mbledhjen emergjente të FIGC-së morën pjesë presidenti i Serie A, Ezio Simonelli, presidenti i Serie B, Paolo Bedin, presidenti i Serie C, Matteo Marani, presidenti i ligave amatore Giancarlo Abete, kreu i shoqatës së lojtarëve Umberto Calcagno dhe kreu i shoqatës së trajnerëve Renzo Ulivieri.

Gravina kishte mbajtur postin më të lartë në federatën italiane të futbollit që nga tetori i vitit 2018.
Gjatë mandatit të tij, Italia fitoi Euro 2020, por gjithashtu dështoi të kualifikohej në Kupat e Botës 2022 dhe 2026, ndërsa ai ishte në krye.
Kujtojmë se Italia kishte dështuar të kualifikohej edhe për Botërorin 2018, përpara emërimit të Gravinas.
Ai ishte gjithashtu përgjegjës për emërimin e Luciano Spalletti dhe Gennaro Gattuso si përzgjedhës të kombëtares italiane, përkatësisht në vitet 2023 dhe 2025.
Mbetet për t’u parë se kush do ta marrë drejtimin e Federatës Italiane të Futbollit në vijim./Telegrafi/



















































