Zvicra fiton në udhëtim te Gjeorgjia

Kombëtarja e Zvicrës ka fituar në udhëtim te Gjeorgjia me rezultat 2-0 në ndeshjen e parë eliminatore për Euro 2020.
Helvetikët i kanë nisur me fitore eliminatoret për Kampionatin Evropian të vlefshme për Grupin D, duke fituar me vështirësi në një udhëtim sikurse ai te Gjeorgjia.
Ekipi i drejtuar nga Vladimir Petkovic e dominoi pjesën e parë të ndeshjes, por pa arritur të gjej golin, edhe pse pati një rast të mirë me Ricardo Rodriguez (6').
Në pjesën e dytë, Zvicra hyri edhe më furishëm duke shtuar sulmet drejt vendasve dhe rrezikoi qysh në minutën e 53-të me anë të Mario Gavranovic.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 57-të dhe ishte Steven Zuber, i cili shënoi për epërsinë 1-0 pas asistimit të Breel Embolo.
Për golin e dytë u përkujdes Denis Zakaria (80'), i cili nga afërsia shënoi për 2-0 dhe vulosi rezultatin përfundimtar.
Në këtë grup bëjnë pjesë edhe kombëtarja e Danimarkës, ajo e Irlandës dhe Gjibraltari. /Telegrafi/



















































