Zjarret në zonën e fshatit Vërnik në bashkinë Devoll vijojnë të jenë aktive, ndonëse me intensitet të ulur, falë temperaturave më të freskëta dhe ndërhyrjes së strukturave vendore.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, së bashku me nënprefektin e Devollit, zhvilluan një takim me banorët e zonës mbrëmjen e sotme për të ndjekur nga afër situatën dhe për të koordinuar veprimet e mëtejshme për përballimin e flakëve.


Sipas deklaratës së Jolës, aktualisht dy vatra zjarri janë ende aktive dhe në to po vijon puna për shuarjen nga forcat vendore në bashkëpunim me banorët.

Gjatë dy ditëve të fundit, në operacionin për fikjen e zjarreve janë angazhuar rreth 150 efektivë dhe 11 mjete zjarrfikëse.

Ndërhyrjet do të rifillojnë me intensitet sërish nesër në orët e para të mëngjesit.

“Rreziku pranë pikës kufitare është shmangur. Zjarri në kodrën pranë rrugës nuk përbën më rrezik të lartë, pasi bimësia aty është e ulët”, theksoi Jole për A2 CNN.

Autoritetet vijojnë të apelojnë për vigjilencë dhe bashkëpunim nga banorët e zonës për të shmangur përkeqësimin e situatës.