Në Itali, Partia Demokratike renditet midis forcave te qendrës së majtë. Aleanca e qendrës së djathtë të Berlusconit me partinë e ekstremit të djathtë të “Lega Nord” duket se ka grumbulluar 29 për qind të preferencave.

Në bazë të sondazheve paraprake, surpriza më e madhe është ajo e partisë së komedianit Beppe Grillo.


Pas një fushate të bazuar mbi ironinë dhe kritikat mbi të gjithë klasën politike ekzistuese, duket se forca e tij ka marrë rreth 20 për qind të preferencave dhe mund të rezultojë vendimtare në llogaritë për koalicionin e ardhshëm qeverisës së vendit, transmeton Top Channel.

Zhgënjyese janë rezultatet e para paraprake për kryeministrin e fundit, Mario Monti, blloku i të cilit grumbulloi 8-10 për qind të votave, një shenjë e qartë që italianët kanë votuar në shumicë dërrmuese për ndryshimin e kursit të ndjekur në vitin e fundit nga qeveria e tyre e teknokratëve.

Këto zgjedhje u zhvilluan në një klimë pesimizmi në Italinë e përfshirë nga probleme të rëndësishme ekonomike. Ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës përballet me një borxh të lartë kombëtar, rënie ekonomike dhe masa të ashpra kursimi.

Rënia drastike e besimit tek politika u konfirmua edhe me pjesëmarrjen e ulët, e cila sipas të dhënave paraprake nuk i ka kaluar 60 për qind, duke u vendosur në histori këto zgjedhje si një prej votimeve që i kanë interesuar më pak italianëve ndonjëherë.

Këto zgjedhje të përgjithshme në Itali ishin të parakohshme, pasi në dhjetor deputetët e bllokut të Berlusconit tërhoqën mbështetjen për qeverinë Monti, duke sjellë rrëzimin e saj.

Pothuajse të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këto votime kanë pranuar nevojën e programeve shtrënguese, për të rishëndoshur financat kombëtare, por ish-kryeministri Berlusconi sfidon këtë logjikë, duke premtuar ulje taksash dhe nxitje të mëtejshme për biznesin, si e vetmja mënyrë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.

Në programin e tij ekonomik, Bersani ka një program të bazuar tek shkurtimet, por me disa ndryshime të rëndësishme në krahasim me programin e Montit, të kritikuar prej ish-anëtarit të partisë komuniste si të paafektshëm dhe në gjendje vetëm që të zgjasë vuajtjet për italianët. /Telegrafi/