Në qytetet Kosjeriq dhe Zajeçar sot u mbajtën zgjedhjet lokale dhe në orën 20:00 u mbyllën të gjitha qendrat e votimit. Edhe pse ende nuk ka rezultate zyrtare, një listë tashmë e ka shpallur fitoren kundër partisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, SNS.

Në një deklaratë për televizionin Nova S, Vladan Todoroviq, i cili ishte në listën "Të bashkuar për Kosjeriq", shpalli fitoren në këto zgjedhje lokale.


"I shqyem", tha Todoroviq, lista e të cilit u mbështet nga organizatat studentore, të cilat që nga nëntori i vitit të kaluar po protestojnë kundër Vuçiqit.

Todoroviq tregoi rezultatet nga disa qendra votimi, ku, sipas këtij mediumi, shihet fitorja e kësaj liste kundër Partisë Progresive Serbe (SNS).

Edhe pse bëhet fjalë për zgjedhje lokale në dy vende relativisht të vogla në Serbi, këto zgjedhje ishin në fokusin e opinionit publik në mbarë vendin.

Bëhet fjalë për zgjedhjet e para që prej fillimit të protestave tashmë tetëmuajshe kundër pushtetit të SNS-it, dhe ato konsiderohen si një lloj "teste popullariteti" për këto protesta.

Ndërkohë, Vuçiq deklaroi se SNS-i ka shënuar një fitore të madhe dhe bindëse në Zajeçar, një qytet që, sipas tij, është pesë herë më i madh se Kosjeriqi.

“Edhe në Kosjeriq rezultati ishte i ngushtë, por lista e SNS-së doli fituese”, theksoi ai.

Ndryshe, pasi opozita shpalli fitoren në Kosjeriq, studentët kanë arritur para Presidencës dhe po kërkojnë zgjedhje të parakohshme. /Telegrafi/