LAJMI I FUNDIT:

Zbulohen detaje të arratisjes dramatike të Assadit

Zbulohen detaje të arratisjes dramatike të Assadit

Bashar al Assad nuk i tregoi pothuajse askujt planet e tij për të ikur nga Siria ndërsa sundimi i tij mori fund.

Reuters citon një komandant i cili ishte i pranishëm dhe kërkoi anonimitetin duke thënë se vetëm disa orë para se të arratisej për në Moskë, Assad zhvilloi një takim me 30 shefa të ushtrisë.

Raportohet se ai u tha atyre se mbështetja ushtarake ruse ishte në rrugë e sipër.


Kur mbaroi punën, ish-presidenti sirian u kishte thënë zyrës presidenciale të tij se po shkonte në shtëpi, por në vend të kësaj u nis për në aeroport, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

“Assad nuk bëri as qëndrimin e fundit. Ai as nuk mblodhi trupat e tij”, tha Nadim Houri, drejtor ekzekutiv i institutit rajonal të Iniciativës për Reforma Arabe.

“Ai i la mbështetësit e tij të përballen me fatin e tyre”, shtoi ai.

Ndërkohë që nuk ka pasur asnjë deklaratë nga Asadi në Moskë, ku atij i është dhënë azil politik, intervistat me disa njerëz të njohur me ditët dhe orët e tij të fundit në pushtet japin një pamje të një lideri që kërkon ndihmë nga jashtë për të zgjatur sundimin e tij 24-vjeçar.

Siç raportohet, Assad nuk e informoi as vëllain e tij më të vogël, Maherin, komandant i Divizionit të 4-të të blinduar elitar të ushtrisë, për planin e tij të ikjes.

Thuhet se Maher më pas ka fluturuar me një helikopter në Irak dhe më pas në Rusi.

Ndërsa kushërinjtë e Assadit nga nëna, Ehab dhe Eyad Makhlouf, u lanë në mënyrë të ngjashme pasi Damasku ra në duart e rebelëve.

Dyshja u përpoqën të iknin me vetura për në Liban, por u zunë në pritë gjatë rrugës nga rebelët, të cilët qëlluan Ehabin për vdekje dhe plagosën Eyadin.

Vetë Assad u largua nga Damasku me aeroplan, duke fluturuar nën radar me transponderin e aeroplanit të fikur.

Ikja dramatike i dha fund 24 viteve të sundimit të tij dhe gjysmëshekullit të pushtetit të pandërprerë të familjes së tij dhe e solli një ndalesë të papritur të luftës civile 13-vjeçare në Siri.

Bashar fluturoi për në bazën ajrore ruse Hmeimim në qytetin bregdetar sirian të Latakias dhe prej andej në Moskë.

Familja e afërt e Assadit, gruaja Asma dhe tre fëmijët e tyre, po e prisnin tashmë atë në kryeqytetin rus. /Telegrafi/