Zbardhet vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë, shpallet në kërkim autori

Policia ka zbardhur vrasjen e biznesmenit italian, Edoardo Sarchi, i cili u gjet i pajetë pas mesnatës së 26 shtatorit në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit”, në aksin rrugor “Nivicë–Salari”, Tepelenë.
Sipas njoftimit zyrtar, autori i dyshuar është identifikuar si K. S., 48 vjeç, banues në Mesaplik të Vlorës, i cili është shpallur në kërkim për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtje pa leje të armëve” dhe “Prodhim e shitje të narkotikëve”.
Hetimet paraprake tregojnë se konflikti me viktimën ka nisur për motive të dobëta dhe më pas ka përfunduar me të shtëna ndaj Sarchit, shoqëruesve të tij dhe automjeteve të tyre.
Në vendngjarje u sekuestruan automjetet e viktimës dhe të shoqëruesve të tij, si dhe dy armë gjahu.
Gjatë kontrolleve në një zonë malore u gjetën automjeti dhe veshjet e përdorura nga autori i dyshuar, ndërsa në banesën e tij dhe të familjarëve u sekuestruan rreth 2.5 milionë lekë (në lekë dhe euro), tre armë gjahu me municion luftarak, 450 fara të dyshuara kanabisi dhe dy kasaforta.
Operacioni u zhvillua nga grupi i posaçëm hetimor i Policisë së Gjirokastrës dhe i Drejtorisë së Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës.
Policia ka bërë të ditur se vijon puna intensive për kapjen e autorit të shpallur në kërkim.


















































