Site icon Telegrafi

Vuçiq: Bisedime jo të lehta me Lajçakun dhe Escobarin, do të takohemi sërish pas orës 22:00

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka zhvilluar një takim me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Në një video të publikuar në Instagram, Vuçiq tha se bisedimet nuk ishin të lehta dhe shtoi se ato do të vazhdojnë sonte pas orës 22:00.

Takimi në ndërtesën e Kryesisë ka nisur në ora 17:00 dhe ka zgjatur rreth 40 minuta. Përveç Lajçakut, Escobar dhe presidenti i Serbisë, ishin të pranishëm edhe ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Serbi, Christopher Hill dhe Emanuele Giofre, tha Vuçiq.

Në një video-mesazh për qytetarët, ai tha se do të luftojë për paqe dhe stabilitet, por se kurrë nuk do të devijojë nga interesat jetike kombëtare dhe siguria e qytetarëve.

Sipas njoftimit të Vuçiqit, vazhdimi i takimit pritet pas orës 22:00.

Lajçak dhe Escobar më herët gjatë ditës së sotme kanë mbajtur një takim me përfaqësuesit e Listës Serbe në ndërtesën komunale të Mitrovicës Veriore, pas së cilës i dërguari i posaçëm i BE-së tha se ai dhe Escobar po bëjnë gjithçka që të mos ketë përsëri barrikada.

Një ditë më parë, më 24 gusht, të dërguarit e BE-së dhe SHBA-së zhvilluan takime edhe me zyrtarë të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version