Gjykata e Kurorës në Sheffield të Britanisë së Madhe ka nisur gjyqin për vrasjen e shqiptarit Armend Xhika, ngjarje e ndodhur në vitin 2021. Të martën (17 Janar) para gjykatës dolën Mentor Selmani, 28 vjeç; Marsid Senia, 25 vjeç dhe Mardov Dushku. Të tre ata janë arrestuar në lidhje me këtë ngjarje, por deklaruan se janë të pafajshëm.
Prokurori Samuel Green gjatë seancës ka bërë publike detaje shumë të rënda që tregojnë se kjo ngjarje mund të ishte kthyer në një tragjedi me pasoja shumë më të rënda.
Kjo pasi 3 personat më sipër, së bashku me 2 të tjerë, të cilët kanë bërë roje pranë vendit të ngjarjes, kanë qenë duke shkaktuar edhe vdekjen e disa shqiptarëve të tjerë. Gjithçka duket se ka nisur pas një aksidenti rrugor ku janë përplasur dy makina. Në këtë ngjarje janë përfshirë dy grupe shqiptarësh.
Prokurori Green pretendon se 22-vjeçari Xhika vdiq pasi u plagos me thikë në ngjarjen që ndodhi mbrëmjen e 13 Majit 2021. Një prej shokëve që e shoqëronin 22-vjeçarin është përpjekur që ta shpëtojë të riun dhe e ka dërguar në spital, por fatkeqësisht Xhika nuk ia doli dot.
“Pasi Armend Xhika u ngrit në këmbë u ndihmua nga shoku i tij, Altin Kalemi dhe u dërgua fillimisht në shtëpi ndërsa më pas në një spital në Sheffield, ku u shpall i vdekur në orën 20:37”, u shpreh ai.
Më tej, prokurori shtoi se Armend Xhika u dërgua në spital ekzaktësisht në orën 20:12.
“Në kontaktin e parë me stafin ai kishte pësuar arrest kardiak. Ata ushtruan mbi të resusitacion kardiopulmonar ose CPR dhe u dërgua në departamentin e emergjencës. Për rreth 10-15 minuta reanimimi u ndërpre dhe Xhika u deklarua i vdekur në orën 20:37 të asaj mbrëmje”, tha Green.
Sipas ekzaminimeve rezulton se Xhika ka pësuar një plagë nga thika në krahun e majtë të kraharorit me një thellësi prej 10 centimetrash. Sipas prokurorit vdekja e të riut është shkaktuar nga një kombinim i hemorragjisë së rëndë, me shumë mundësi si pasojë e një dëmtimi të zemrës dhe mushkërisë jashtë funksionit.
Duke iu referuar ngjarjes, Green tha se mbrëmjen fatkeqe dy grupe shqiptarësh kishin planifikuar të takoheshin. Në njërin grup ishin të akuzuarit, tre prej të cilëve dyshohet se kanë qenë të pajisur me thika dhe tek grupi tjetër ishte viktima dhe shokët e tij.
Green pretendoi se disa nga grupi i të pandehurve mbanin thika dhe armë dhe dërguan dy anëtarë të tjerë për të bërë roje. Ai shtoi se takimi ishte vendosur pasi Xhika duke drejtuar makinën e tij tip ‘Vauxhall Insignia’ kishte përplasur në rrugë një makinë tip ‘Audi’ brenda së cilës ndodheshin dy shqiptarë. Gjatë takimit, një anëtar i grupit të të pandehurve goditi Armend Xhikën dhe pas kësaj nisi dhuna. Sipas prokurorit pjesa më e madhe e sherrit është filmuar në kamerat e sigurisë.
Green u shpreh se grupi i të pandehurve e ndoqi grupin e Xhikës dhe i sulmuan të gjithë ata. Siç thotë prokurori në pamjet e kamerave të sigurisë shfaqet Xhika i cili është goditur disa herë me thikë. Megjithatë ai nuk mund të përcaktojë dot se cili ka dhënë goditjen fatale ndaj shqiptarit. Por prokurori thotë se ata janë përgjegjës për vrasjen.
Përveç Xhikës gjatë sulmit janë sulmuar dhe plagosur edhe 3 shokët e viktimës, Durim Dervishanji, Mikael Kanachi dhe Fatson Dushku. Dervishanji është paraqitur në spital me disa të çara në krahë dhe kokë. Kanachi u paraqit në spital me gjak në kraharor, çarje në mushkëri, një brinjë të thyer dhe dy çarje në pjesën e pasme të gjoksit të tij në përputhje me goditjen me thikë. Ndërsa Fatson Dushku kishte plagë të ndryshme me thikë dukshëm në pjesën e pasme të tij.
Pas arrestimit, Mentor Selmani dhe Marsid Senia nuk kanë dhënë komente. Megjithatë Senia më herët ka bërë një telefonatë në shërbimet e emergjencës ku tregoi se gjithçka kishte ndodhur pas një aksidenti dhe anëtarët e grupit tjetër kishin shkuar atje me thika.
Mardov Dushku i tha policisë se kishte shkuar në një takim për të folur për një aksident me makinë, por nuk e di si shpërtheu sherri. Ai ka vënë në dukje se një person ka bërë një lëvizje drejt tij kështu që e ka goditur, por më pas është arratisur dhe ka mohuar se ka pasur thikë. Por prokurori u shpreh se qëllimi i këtyre personave ka qenë dëmtimi serioz i anëtarëve të grupit të Armend Xhikës. Mediat shkruajnë se gjyqi vijon ende./Tv Klan