Vladimir Putini do të qeshë gjatë gjithë rrugës për në Kremlin

Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Udhëheqësi rus duket se e ka bindur Donald Trumpin se është i gatshëm për paqe. Nuk është. Por, ka fituar më shumë kohë për veten.
“Nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje” dhe “nuk arritëm aty, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur aty”. Duke folur në konferencën për shtyp me Vladimir Putinin, në Alaskë, Donald Trumpi me gjasë përpiqej të shprehte optimizëm për ecurinë e negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në vend të kësaj, fjalët e tij përmblodhën cektësinë e samitit të parë presidencial ShBA-Rusi në katër vjet.
Samiti në Alaskë ishte një dështim goxha i parashikueshëm. Gjatë përgatitjeve të për bisedime, forcat ruse pushtuan 10 kilometra territor përreth Pokrovskit. Ukraina u përgjigj duke lëshuar dronë mbi rafinerinë Sizran të gjigantit rus të naftës Rosneft në Samarë. Mediat shtetërore ruse e akuzuan Ukrainën për provokime me qëllim të prishjes së bisedimeve. Yuriy Shchygol, një gjeneral brigade ukrainas, u zotua se do të vazhdojnë sulmet me dronë derisa Rusia ta përfundojë luftën.
Meqenëse Rusia ruan momentumin sulmues, Putini nuk kishte asnjë nxitje për ta përfunduar luftën. Samiti në Alaskë, në vend të kësaj, ishte një mundësi për të treguar statusin e Rusisë si fuqi e madhe për përkrahësit dhe partnerët e tij jashtë Perëndimit, dhe për të fituar kohë. Vërtet ai i përmbushi pritshmëritë e veta.
Në një gjest të llogaritur për t’ia bërë qejfin Trumpit, Putini përsëriti narrativën e tij se lufta në Ukrainë nuk do të kishte nisur po të ishte Trumpi ende president. Trumpi e hëngri karremin dhe reagoi në mënyrën që i dha Putinit legjitimitet të padrejtë. Ai shprehu optimizëm për mundësitë e ardhshme ekonomike, pasi më parë i kishte shtruar një qilim të kuq presidentit rus. Një kriminel lufte i akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare po nderohej nga një president amerikan si një mik dhe aleat.
Putini gjithashtu duket se e ka bindur Trumpin se është serioz për paqen. Kështu, samiti në Alaskë me shumë gjasë do të shtyjë vendosjen e tarifave sekondare apo zbatimin e paketës dërrmuese të sanksioneve të Kongresit ndaj Rusisë. Pranimi, nga ana e Trumpit, për një samit të përbashkët pa kushte paraprake i dha autokratit rus rrugëdaljen që shumë i duhej. Dhe, tani, ndëshkimi që Trump ka premtuar me gjasë do të shtyhet sërish.
Putini gjithashtu e avancoi strategjinë e tij të vjetër për të thelluar përçarjet midis ShBA-së dhe Evropës. I shkoi për dore mungesa e reagimit të Trumpit ndaj nënkuptimeve të Putinit për pengesat evropiane në procesin e paqes. Në ditët që pasojnë, udhëheqësit evropianë ka gjasa t’i kujtojnë Trumpit politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe të përpiqen ta bindin se Putini, si agresor, nuk ka gjasa të jetë serioz për një paqe të qëndrueshme. Kjo qasje mund ta mërzisë Trumpin dhe të krijojë ndasi të mëtejshme brenda aleancës transatlantike.
Në javët në vijim, Putini do të përpiqet t’i konsolidojë këto përfitime pa bërë lëshime domethënëse. Mund të rritet frekuenca e takimeve e të dërguarit të posaçëm të Trumpit, Steve Witkoff, me zyrtarë rusë, si dhe thirrjet e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me homologun e tij Sergey Lavrov. Duke shfrytëzuar dëshirën e Trumpit për të kapërcyer dominimin e Pekinit në metalet e rralla, Rusia mund të ofrojë, si karrem, burimet e saj natyrore për të mbajtur bisedimet të hapura.
Kur takimet në Alaskë ishin duke u zhvilluar, media shtetërore ruse RIA Novosti publikoi një artikull me titullin “u zhvilluan negociatat: rezultati është në favorin tonë, Kievi do të dorëzohet”. Pak e ekzagjeruar, me siguri, por Putini ishte fituesi i padiskutueshëm i samitit. /Telegrafi/

















































