Ushtria e Iranit kërcënoi me më shumë shkatërrime dhe lavdëroi fuqinë e saj, në një përgjigje ndaj fjalimit kombëtar të presidentit amerikan, Donald Trump, të mërkurën në mbrëmje, në të cilin ai tha se konflikti është "pranë përfundimit" dhe kërcënoi ta kthejë Iranin "në epokën e gurit".

“Lufta do të vazhdojë derisa SHBA dhe Izraeli të përballen me poshtërim, turp, keqardhje të përhershme dhe dorëzim përfundimtar”, tha zëdhënësi i selisë ushtarake iraniane në deklaratën e raportuar nga media shtetërore iraniane IRIB.


“Pas goditjeve të fuqishme dhe të paimagjinueshme që keni marrë tashmë, prisni veprime edhe më shkatërruese, më të gjera dhe shkatërruese nga ne”, shton deklarata.

Irani gjithashtu hodhi poshtë pretendimet e Trumpit se ushtria e tij është dobësuar rëndë, duke thënë se SHBA nuk di "asgjë për aftësitë tona të gjera dhe strategjike".

"Qendrat që besoni se i keni synuar janë të parëndësishme. Prodhimi ynë strategjik ushtarak zhvillohet në vende për të cilat nuk jeni aspak në dijeni - dhe nuk do të jeni kurrë në gjendje t'i arrini”, vazhdoi ushtria iraniane.

Ndryshe, Trump tha se vendi i tij do ta "përfundojë punën" në Iran së shpejti, pasi "objektivat strategjike kryesore po i afrohen përfundimit" në fjalimin e tij të parë kombëtar në mbrojtje të luftës që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit.

Në të njëjtën kohë, ai tha se Irani do të vazhdojë të përballet me një breshëri sulmesh në afat të shkurtër. /Telegrafi/