Dy kambana të Kishës Katolike në Ferizaj janë vjedhur mbrëmjen e 28 tetorit, ka konfirmuar për zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli.

Sipas Policisë, rasti është raportuar rreth orës 20:10, kur tre persona të dyshuar, të cilët po lëviznin me një automjet civil, kanë hyrë në oborrin e kishës dhe kanë marrë dy kambanat metalike – njërën me peshë rreth 150 kilogramë, ndërsa tjetrën rreth 30 kilogramë, raporton Telegrafi.




Në lidhje me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore e Ferizajt, ndërsa hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve janë në zhvillim. Policia ka iniciuar rast penal për “vjedhje të rëndë”.

Pas ngjarjes, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar duke shprehur shqetësim për vjedhjen e kambanave, të cilat përbëjnë pjesë të trashëgimisë fetare dhe shpirtërore të komunitetit katolik.

“Vjedhja e kambanave të kishës cenon jo vetëm dinjitetin e komunitetit katolik, por edhe parimin e lirisë së fesë dhe të besimit” – thuhet në reagimin e OSBE-së.



“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të rendit që të veprojnë pa vonesë dhe presim që të gjitha komunitetet dhe institucionet të riafirmojnë respektin e ndërsjellë për vendet fetare dhe kulturore”.

Misioni i OSBE-së ka shtuar se do të vazhdojë të mbështesë autoritetet dhe komunitetet lokale në promovimin e bashkëjetesës paqësore dhe në mbrojtjen e trashëgimisë fetare në Kosovë. /Telegrafi/